Artikull

Të famshëm bipolarë | Vincent Van Gogh

Arlind Fazliu
Vincent van Gogh

Ata që e duan pikturën, s’ka se si të mos jenë të njohur me jetën dhe veprat e tij. Kushdo që ia ka dëgjuar emrin ka të ngjarë ta ketë parë pikturën e tij të famshme “Starry Night” ose të ketë dëgjuar historinë se si e ka prerë veshin e vet. Mirëpo, jo të gjithë e dinë se Van Gogh-u ka vuajtur për shumë vite nga sëmundja maniako-depresive. Në fakt, Dita Botërore e Çrregullimit Bipolar shënohet më 30 mars pikërisht për shkak të datëlindjes së tij.

Nëpërmjet punës së tij – letrave të bukura drejtuar Teos, vëllait të tij, dhe pikturave që, për fat të keq, s’arriti t’i shiste apo t’i shihte të bëheshin të famshme sa ishte gjallë – u bë i pavdekshëm; si njeri ishte i dështuar, sepse s’mësoi asnjëherë vetëpërmbajtjen. Indinjata dhe dëshpërimi e shoqëruan gjatë gjithë jetës dhe është e dhimbshme po ta mendojmë agoninë që duhet të ketë përjetuar para se të vetëvritej. Me sa duket, ky gjeni i shkathët ishte një nga njerëzit më vetmitarë që ka jetuar ndonjëherë. I rrënuar nga çrregullimi bipolar gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër, ai mezi gjente fjalët për të përshkruar vuajtjet e tij: “Nuk jam në gjendje të përshkruaj saktësisht se çfarë po ndodh me mua. Herë pas here kam sulme të tmerrshme ankthi, me sa duket pa shkak, ose përndryshe një ndjenjë zbrazëtie dhe lodhjeje në kokë... Ndonjëherë kam sulme melankolie dhe pendimi mizor.” Ndërkohë, Teo, i cili ishte mbështetja e tij më e madhe deri në fund të jetës, i tregonte nënës: “Janë dy njerëz brenda Vincent-it, njëri jashtëzakonisht i talentuar, i ndjeshëm dhe i butë, tjetri egoist dhe i pandjeshëm. Jam i sigurt se ai është armik i vetvetes, sepse helmon jo vetëm jetën e të tjerëve, por edhe jetën e vet, por edhe farat e madhështisë janë në të.”





Artikuj të ngjashëm