Artikull

Parandalimi i vetëvrasjes tek individët me çrregullim bipolar

Arlind Fazliu

Individët me çrregullim bipolar janë ndër personat më të rrezikuar nga vetëvrasja – kryesisht ngaqë një prej simptomave të depresionit është mendimi për vetëvrasjen, por edhe ngaqë stigmatizimi kundrejt njerëzve me sëmundjet mendore është shumë i shprehur në shoqërinë tonë. Më tej, duhet të ritheksojmë se terapia me barna dhe psikoterapia janë dy prej mënyrave më efikase të parandalimit të kësaj dukurie te personat me këtë sëmundje. Sidoqoftë, fatkeqësisht, ka raste kur edhe individë që marrin medikamentet e përshkruara nga psikiatri kryejnë vetëvrasje. Prandaj, është tejet e rëndësishme që kujdestarët, qoftë familjarë apo të tjerë, t’i vërejnë shenjat paralajmëruese kur dikush mendon apo planifikon të kryejë vetëvrasje, dhe të kërkojë ndihmë nga profesionistët e shëndetit mendor.

Është vërtetuar se numri më i madh i vetëvrasjeve ndodh gjatë muajve pranverorë (prill, maj, dhe qershor) edhe pse shumica e pacientëve janë më të predispozuar të përjetojnë episode depresioni gjatë festave të fundvitit. Duhet të cekim po ashtu se personat bipolarë që përdorin alkool janë trefish më të prirur për vetëvrasje në krahasim me të tjerët. Metodat më të zakonshme të vetëvrasjes duket se janë ato më të dhunshmet: vdekje me armë zjarri (58 përqind) ose varje. Për më tepër, këto lloje vetëvrasjesh zakonisht kryhen në mjedise ku ka pak shanse për t’u shpëtuar. [1]

Vetëvrasja e një të dashuri gjithmonë përcillet me ndjenja faji apo zemërimi nga miqtë dhe familjarët. Sidoqoftë, vetëvrasja shpesh ndodh edhe pasi rrethi i ngushtë i individit t’i ketë provuar të gjitha metodat e mundshme për ta përmirësuar gjendjen emocionale e mendore të atij personi.

Njerëzit që kryejnë vetëvrasje përgjithësisht ua komunikojnë qëllimet e tyre të tjerëve; në një studim të 134 vetëvrasjeve, u zbulua se dy të tretat e pacientëve maniako-depresivë u kishin treguar të tjerëve për qëllimin e tyre për të bërë vetëvrasje (shpesh përmes deklaratave të drejtpërdrejta dhe specifike).[2] Kështu, në qoftë se mendimet apo sjelljet vetëvrasëse bëhen të dukshme, apo nëse familjarët dyshojnë se personi mund të jetë duke menduar për t’u vetëvrarë, duhet kontaktuar urgjentisht me psikiatrin, dhe të kërkohet që ai të shtrohet në spital. Familjarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm, sidomos në rastet kur individi i cili ka shprehur mendime apo sjellje vetëvrasëse ndryshon qëndrim papritmas dhe sillet sikur është mirë, e madje-madje edhe buzëqesh. Kjo sjellje shpesh nënkupton që ai tashmë është dorëzuar dhe ka marrë vendim për t’u vetëvrarë.

Aleanca e Depresionit dhe Mbështetjes Bipolare rendit një numër rekomandimesh për parandalimin e vetëvrasjes së një anëtari të familjes, miku ose personi tjetër:

  • Merreni seriozisht gjendjen e tyre.
  • Qëndroni të qetë, por mos e nënvlerësoni gjendjen e tyre duke mos reaguar.
  • Përfshini njerëz të tjerë. Mos u përpiqni ta trajtoni krizën vetëm ose të rrezikoni shëndetin apo sigurinë tuaj. Telefononi policinë, nëse është e nevojshme.
  • Kontaktoni psikiatrin e personit, terapistin, ndihmën urgjente, ose persona të tjerë që janë të trajnuar për të ndihmuar në këto raste.
  • Shpreheni shqetësimin tuaj për mirëqenien e tyre. Lërini të flasin për mendimet vetëvrasëse pa u dukur të tronditur apo sikur po i fajësoni. Jepuni shembuj konkretë se çfarë ju çon të besoni se janë afër vetëvrasjes. Nëse kjo ju transmetohet, atëherë ata mund të ndihen më pak fajtorë për mendimet vetëvrasëse.
  • Dëgjojini me vëmendje. Mbajeni kontaktin me sy. Përdorni gjuhën e trupit: afrohuni më pranë tyre ose mbajuani dorën, nëse është e përshtatshme.
  • Bëjuni pyetje të drejtpërdrejta. Pyetini nëse kanë ndonjë plan specifik për të bërë vetëvrasje. Mundohuni të gjeni se çfarë metode vetëvrasjeje ka në mend.
  • Njihuni me ndjenjat e tyre. Jini empatik, jo paragjykues. Sidoqoftë, mos hezitoni t’u thoni se janë përgjegjës për veprimet e veta.
  • Bindini. Tregojuni se vetëvrasja është zgjidhje e përhershme e një problemi të përkohshëm. Këmbëngulni deri sa të binden se problemi mund të largohet, edhe nëse përpjekjet e kaluara kanë dështuar. Jepuni shpresë realiste. Kujtojuni se gjërat mund të përmirësohen nëse merret ndihma e duhur. Thojuni se do t’i ndihmoni.
  • Mos u brengosni për konfidencialitetin. Ruajtja e konfidencialitetit është dytësore kur kemi të bëjmë me një situatë jetë a vdekje. Mos hezitoni ta kontaktoni psikiatrin e tyre për t’i mbrojtur.
  • Mos i lini vetëm, të paktën derisa të siguroheni se janë bërë më mirë apo janë në duar të mjekut.[3]

  • Referencat

      [1]Fawcett, J., Scheftner, W. A., Fogg, L., Clark, D. C., Young, M. A., Hedeker, D., & Gibbons, R. (1990). Time-related predictors of suicide in major affective disorder. The American journal of psychiatry, 147(9), 1189–1194.
      [2]Robins, E., Gassner, S., Kayes, J., Wilkinson, R.H., and Murphy, G.E. (1959). The communication of suicidal intent: A study of 134 consecutive cases of successful (completed) suicide, American Journal of psychiatry, 775: 724-733.
      [3]Po aty.