Arlind Fazliu është gjuhëtar poliglot nga Kosova, shkrimtar, përkthyes dhe aktivist i shëndetit mendor. Ka përfunduar studimet bachelor në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet master në Second Language Acquisition në University of Maryland, College Park, ku ka studiuar si pjesë e programit Fulbright.
Më 2016, ai kreu një vit studimesh shkëmbimi në Universität Vechta në Gjermani, në fushën Anglistik und Kulturwissenschaft, përmes një granti të programit Erasmus. Aktualisht është doktorant i vitit të tretë në Linguistics. Hulumtimi i tij fokusohet kryesisht në ndikimin e latinishtes klasike në theksin parësor të fjalëve në anglishte dhe në rolin e theksit në poezinë e vjetër nordike, veçanërisht në vargun dróttkvætt.
Më 2023, me synimin për të plotësuar një mungesë të madhe në literaturën shqipe mbi shëndetin mendor, dhe duke u mbështetur në studimet e tij në UMD mbi ndikimin e çrregullimeve mendore në përvetësimin e gjuhës, Arlindi botoi librin Pikëllimi i heronjve, një libër në shqip për sëmundjen maniako-depresive. Libri trajton historinë, simptomat, etiologjinë dhe trajtimin e çrregullimit bipolar; ky website është pjesa shoqëruese online e tij.
Si përkthyes, Arlindi ka sjellë në shqip disa libra, ndër ta novelën klasike braziliane O Alienista të Machado de Assis dhe The Six Pillars of Self-Esteem të Nathaniel Branden. Ai ka përzgjedhur dhe përkthyer gjithashtu tregime nga portugalishtja dhe spanjishtja në vëllimin Rrëfenja të zgjedhura hispanoamerikane, ku përfshihen autorë si Lima Barreto, Ramón del Valle-Inclán, Ramón J. Sender, Max Aub dhe Machado de Assis.