Artikull

Strategji për t’u mbrojtur nga episodet maniako-depresive

Arlind Fazliu

Sëmundja maniako-depresive është progresive: fillon me simptoma të buta dhe, nëse nuk trajtohet, degjeneron në simptoma më të rënda.[1] Me kalimin e kohës individët bipolarët mësohen të vërejnë shenjat paralajmëruese të manisë e të depresionit. Mania zakonisht nis me një përshpejtim të theksuar të të menduarit me dhe problemet e gjumit. Disa individë, për të nxitur qëllimisht episodet maniake, e privojnë veten nga gjumi. Depresioni, në anën tjetër, zakonisht nis me rënie të oreksit, paaftësi për të ndier kënaqësi dhe humbje e interesit për t’u shoqërizuar apo për të bërë aktivitete.

Në këtë mënyrë, këto simptoma shihen si gjendje ideale për ndërhyrje ngaqë këta individë kanë më shumë gjasa t’i përgjigjen trajtimit dhe në këtë fazë mund të kenë nevojë për ndërhyrje më pak komplekse.[2] Për më tepër, vetë individët – të cilët janë të vetëdijshëm për problemet e rreziqet që mund të sjellë një episod maniak apo depresiv, qoftë ngaqë kanë marrë një psikoedukim të mirëfilltë apo i mbajnë mend episodet e kaluara dhe pasojat që kanë shkaktuar – mund të jenë në kohë për të kërkuar ndihmë te psikiatri apo familja e tyre.

Këtu ia vlen të theksojmë se është jetike që individi të marrë kurajën e duhur për t’u treguar haptazi familjarëve dhe miqve diagnozën e vet. Kjo për disa arsye. Së pari, të folurit hapur për sëmundjen ndihmon në lehtësimin e simptomave ngaqë ka efekt psikoterapeutik. Së dyti, është e rëndësishme që familjarët e miqtë të jenë të vetëdijshëm se sjelljet maniake apo depresive nuk janë sjelljet normale të individit dhe se çfarëdo sjelljeje apo ofendimi verbal nuk rrjedh nga një burim i arsyeshëm, por nga një çrregullim mendor. Së treti, është e rëndësishme që të krijohet një rreth i ngushtë që mund të ofrojë mbështetje dhe që di se si të veprojë në çaste krizash.

Referencat

    [1]Berk, M., Berk, L., Dodd, S., Cotton, S., Macneil, C., Daglas, R., Conus, P., Bechdolf, A., Moylan, S., & Malhi, G. S. (2014). Stage managing bipolar disorder. Bipolar disorders,16(5), 471–477.
    [2]Goi et al. (2015). Pharmacological treatment and staging in bipolar disorder: evidence from clinical practice.Braz J Psychiatry.37(2):121–125.