Artikull

Të famshëm bipolarë | Lord Bajron

Arlind Fazliu
Lord Bajroni

Lord Bajroni, poeti më i shquar anglez i periudhës romantike, shprehej, për veten dhe poetët e tjerë bashkëkohës: “Ne poetët jemi të gjithë të çmendur. Disa janë të prekur nga hareja, disa të tjerë nga melankolia, por të gjithë jemi pak a shumë të prekur.”

Të menduarit dhe sjelljet e tij karakterizoheshin nga luhatje të shpeshta e të rënda humori: periudha depresioni gjatë të cilave humbte aftësinë për të ndier kënaqësi, bëhej letargjik, ndihej i dëshpëruar dhe mendonte seriozisht për të kryer vetëvrasje (në njëfarë mënyre, ai u nxit për t’u përfshirë në luftën e grekëve për pavarësi ngaqë e pa si mundësi ideale për të vdekur, dhe ka shumë të ngjarë që, po të mos kishte vdekur në Greqi, do ta kishte vrarë veten në ndonjë mënyrë tjetër). Një herë, përmes humorit të tij thumbues, ai shprehej: “Po të mos ishte për gëzimin që do të ndiente vjehrra ime, ndonjë ditë të bukur duhet t’ia kisha hedhur vetes trutë në erë.”

Ndërsa, gjatë episodeve maniake ai s’flinte për ditë të tëra, acarohej lehtë dhe reagonte dhunshëm, merrte vendime me vrull, pa menduar për pasojat; i shpenzonte të gjitha paratë pas gjërave e udhëtimeve ekstravagante (Bajroni ishte gjithmonë i zhytur në borxhe), sillej në mënyrë të turpshme me femrat dhe i shkatërronte marrëdhëniet me të tjerët (zonja Bajron u detyrua ta hidhte në gjyq dhe të kërkonte divorc duke thënë se ishte i çmendur).

Vetë Bajroni ishte në dijeni për sëmundjen e tij ngaqë shumë gjenerata të Bajronëve, përfshirë edhe prindërit e tij, kishin përjetuar luhatje të skajshme humori; disa edhe kishin kryer vetëvrasje. Kështu, ai i shkruante zonjës Blessington: “Jam kaq i luhatshëm, jam gjithçka sipas radhës, por asgjë për shumë gjatë, – jam një përzierje e çuditshme midis së mirës e së keqes, saqë është shumë e vështirë për të më përshkruar.”

Sigurisht, gjatë atyre viteve nuk dihej shumë për çrregullimin bipolar dhe nuk kishte barna për ta trajtuar. Sidoqoftë, Bajroni donte të mjekohej; ai jetonte me frikën se një ditë mund të çmendej plotësisht dhe nuk udhëtonte askund pa doktorin e tij, John William Polidori, i cili, për ironi, mendohet se kreu vetëvrasje ngaqë vuante edhe vetë nga depresioni.



Artikuj të ngjashëm