
Të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja;
M’e lart’ është vallë të durosh
Hobe, shigjeta fati të tërbuar
A të përballsh një det të turbullt helmesh
Me arm’ e fund t’u japsh? (“Hamleti”, Akti i tretë, Skena e parë; shqipëruar nga Fan Noli)
Të gjithë njerëzit e lexuar i njohin këto fjalë të Shekspirit në kryeveprën e tij të pavdekshme, “Hamleti”. Megjithatë, askush s’i njeh më mirë se individët bipolarë, të cilët këtë pyetje të princit të ndershëm danez ia bëjnë vetes shpesh gjatë episodeve depresive. Për fat të keq, për dallim nga heroi i tragjedisë së Shekspirit, jo rrallëherë këta individë zgjedhin opsionin më tragjik: të mos rrojnë.
Përpara disponueshmërisë dhe përdorimit të gjerë të litiumit, të paktën një në pesë persona me bipolaritet kryenin vetëvrasje. Është përcaktuar, nëpërmjet analizave post-mortem, se shumica dërrmuese e adoleshentëve dhe të rriturve që kanë kryer vetëvrasje kanë vuajtur ose nga sëmundja maniako-depresive ose nga depresioni madhor unipolar. Sidoqoftë, numri i individëve bipolarë që e shohin vetëvrasjen si opsion “shpëtimi” nga vuajtjet e sëmundjes së tyre, mbetet shqetësues. Ideimi suicidal, një simptomë e episodeve depresive, mbetet shkaku kryesor pse individët – qoftë të rinj apo të moshuar – të cilët vuajnë nga çrregullimi bipolar, kryejnë vetëvrasje. Për më tepër, s’mund të themi se janë vetëm ata më të dobëtit apo më inferiorët që përfundojnë kaq tragjikisht, por shpesh janë ata më inteligjentët, më të talentuarit dhe më të fortët.[1]
Numri i vetëvrasjeve në mesin e individëve bipolarë është afërsisht 10 deri 30 herë më i lartë sesa në popullatën e përgjithshme. Siç e cekëm më parë, hulumtimet ekzistuese kanë zbuluar se deri në 20% e individëve bipolarë (kryesisht individë që s’kanë marrë trajtim me barna) përfundojnë duke kryer vetëvrasje. Ndërkohë, 20 deri 60% tentojnë të bëjnë vetëvrasje të paktën një herë në jetë. [2]
Në librin e saj studimor “Night Falls Fast: Understanding Suicide”, Kay Redfield Jamison shpjegon:
Kur njerëzit kanë ide për vetëvrasje, mendimet u paralizohen, mundësitë u duken të pakta ose s’gjenden fare, ndihen të dëshpëruar dhe humbasin plotësisht shpresën. E ardhmja s’mund të ndahet dot nga e tashmja, ndërkohë që e tashmja është aq e dhimbshme sa s’gjen ngushëllim. [3]
Sipas disa studimeve, tentativat e mëparshme për vetëvrasje konsiderohen si një nga parashikuesit më të saktë të tentativave të ardhshme apo edhe të vdekjes.[4] Periudha menjëherë pas daljes nga spitali mund të karakterizohet gjithashtu nga nivele jashtëzakonisht të larta të vetëvrasjes. Këto zbulime statistikore tërheqin vëmendjen e specialistëve të shëndetit mendor për rëndësinë e shmangies së lirimeve të parakohshme apo të papërshtatshme të pacientëve. Ndërkaq, edhe familjarët e këtyre individëve duhet të kenë më tepër kujdes gjatë kësaj kohe. Përveç kësaj, rreziku për vetëvrasje apo vetëdëmtim rritet edhe gjatë periudhës menjëherë pas shtrimit në spital apo nëse individi është shtruar në spital shumë herë. Është vërtetuar, gjithashtu, se vitet e para pasi është bërë diagnoza është një periudhë që paraqet rrezik të lartë për vetëvrasje.
Nga disa hulumtime të tjera, është zbuluar se një nga treguesit më të rëndësishëm të sjelljes vetëvrasëse është tipi i bipolaritetit apo gjendja aktuale e humorit: më konkretisht, tipi I i bipolaritetit dhe gjendjet depresive apo të përziera paraqesin rrezik shumë të madh për vetëvrasje. Hipomania apo mania, si dhe eutimia, në krahun tjetër, paraqesin rrezik shumë më të ulët.[5]
Sa u përket faktorëve sociodemografikë, gjinia mashkullore duket se është më e rrezikuar për të kryer vetëvrasje, ndërsa gjinia femërore është më e rrezikuar për të tentuar vetëvrasje. Vetëvrasja është gjithashtu më e shpeshtë mes atyre që janë të divorcuar, të pamartuar e që jetojnë krejtësisht vetëm ose vetëm me prindërit. Mosha është një faktor tjetër i rëndësishëm: individët bipolarë nën 35 vjeç dhe mbi 75 vjeç janë më të rrezikuar për t’u përfshirë në sjellje vetëvrasëse. Problemet në punë dhe papunësia, apo fatkeqësitë personale, si p.sh. humbja e prindërve në moshë të hershme, përjetimi i abuzimit seksual apo fizik gjatë fëmijërisë, shkeljet e ligjit dhe dënimi për to, janë po ashtu indikatorë se niveli i ideve suicidale mund të jetë shumë i lartë.[6]
Copyright © Arlind Fazliu 2025 - All Rights Reserved - Çrregullimi bipolar