Artikull

Pyetje dhe përgjigje për çrregullimin bipolar

Arlind Fazliu

Çfarë është çrregullimi bipolar?

Çrregullimi bipolar, i njohur më parë si sëmundja maniako-depresive, është një sëmundje mendore që karakterizohet nga ndryshime të theksuara dhe ciklike të humorit – më saktë, midis dy gjendjeve: manisë dhe depresionit.

Çfarë e shkakton çrregullimin bipolar?

Nuk dihet saktë se çfarë e shkakton çrregullimin bipolar, mirëpo është vërtetuar se mund të ndikojnë një sërë faktorësh, ku përfshihen gjenet e trashëguara, traumat apo problemet në jetë (kryesisht gjatë fëmijërisë), si dhe problemet neurokimike (çrregullim në hormone si dopamina apo serotonina).

A ka kurë për çrregullimin bipolar?

Çrregullimin bipolar nuk ka shërim (akoma). Sidoqoftë, ai mund të mbahet nën kontroll përmes terapisë me barna dhe psikoterapisë.

Cilat janë simptomat e çrregullimit bipolar?

Çrregullimi bipolar karakterizohet nga dy gjendje të ndryshme humori: depresioni dhe mania. Depresioni paraqitet me simptoma të tilla, si: probleme me gjumin, një ndjenjë pikëllimi shumë e thellë, humbje e interesit për të bërë aktivitete, mungesë oreksi, humbje e aftësisë për të ndier kënaqësi etj. Episodet maniake, në krahun tjetër, shoqërohen me simptoma krejtësisht të kundërta nga ato të depresionit. Gjatë manisë, individët mund të ndihen euforikë (sikur janë në majë të botës apo janë “ylli i shfaqjes”), të kenë mendime të shumta dhe që rrjedhin shpejt, të kenë vetëbesim të tepruar, si dhe të mos ndiejnë nevojë për gjumë. Në ca raste, mania mund të shoqërohet edhe nga episode psikotike siç janë halucinacionet dhe paranoja.

Ku dallon trishtimi i zakonshëm nga depresioni?

Trishtimi është një gjendje normale, bile edhe e shëndetshme, kur njeriu përballet me situata të vështira siç është humbja e një njeriu të dashur, humbja e vendit të punës, divorci etj. Për më tepër, trishtimi i zakonshëm, që ndodh për shkak të këtyre situatave, përcillet me një mori ndjenjash të tjera (pra, individi, edhe pse tejet i pikëlluar, ndihet i gjallë). Depresioni patologjik, në anën tjetër, zakonisht shfaqet pa ndonjë shkak të dukshëm dhe individi ndihet plotësisht i pajetë; ai s’mund të dalë, s’mund të dashurojë, s’mund të gjejë forcë apo vullnet të kujdeset për veten apo të tjerët, dhe jeta i duket një barrë e rëndë e papërballueshme. Ia vlen të përmendet se, pavarësisht këtyre dallimeve, ndjenja e trishtimit dhe depresioni janë të lidhura ngushtë dhe ngjasojnë shumë. Për më tepër, në qoftë se trishtimi i nxitur nga situatat jetësore zgjat më shumë se dy apo tre muaj, ai mund të kalojë në depresion patologjik dhe në atë rast duhet kërkuar ndihmë psikiatrike.

Po sikur medikamentet të mos ndihmojnë?

Në disa raste medikamentet për çrregullimin bipolar nuk bëjnë efekt, por kjo shumë herë ndodh ngaqë individi i sëmurë nuk i merr ato sipas recetës së mjekut apo harron t’i marrë në kohën e përcaktuar. Në rastet kur ato kanë efekte të rënda anësore apo janë joefektive, psikiatri e shfrytëzon përvojën e tij për të gjykuar sa më mirë se çfarë barnash të tjera mund të funksionojnë për të. Është e zakonshme të ndodhë që një individ të provojë disa barna të ndryshme, apo kombinim të tyre, derisa të arrijë të gjejë atë që është më e përshtatshme dhe efektive për të.

Pse kanë barnat efekte anësore?

Medikamentet kundër çrregullimit bipolar mund të kenë efekte të ndryshme anësore. Kjo ndodh ngaqë përbërja kimike e tyre, që ka për synim të rregullojë qarqet e neuroneve në tru, përcillet nga stomaku deri në tru përmes gjakut. Rrjedhimisht, ato mund të prekin gjithë trurin dhe trupin dhe, kësisoj, mund të ndikojnë edhe në organe të tjera duke u shfaqur si efekte të padëshiruara anësore. Sidoqoftë, shumica e këtyre efekteve anësore nuk janë të rrezikshme dhe mund të kalojnë pas një kohe kur trupi të jetë përshtatur me ilaçet. Kështu, është e rëndësishme që terapia me barna të vazhdohet edhe nëse ka efekte anësore të përballueshme.

Pse duhen ndjekur seanca psikoterapie?

Terapia me barna është shpesh e pamjaftueshme për të mbajtur çrregullimin bipolar nën kontroll. Për më tepër, individët bipolarë, kryesisht gjatë episodeve depresive, mund të ndihen vetëm dhe të pashpresë. Kësisoj, specialistët e shëndetit mendor kanë vërtetuar se psikoterapia, qoftë tek e tek, në çift, apo në grup, është shumë e rëndësishme për individët e tillë në mënyrë që të përballojnë më lehtë simptomat e depresionit dhe të mos ndihen vetëm. Për më tepër, psikoterapia mund të ndihmojë që të tejkalohet stigma si dhe të mësohet më shumë për sëmundjen.

A mund të ma përkeqësojnë gjendjen medikamentet?

Ndodh shumë rrallë, mirëpo, po, përdorimi i një medikamenti të ri mund të përkeqësojë gjendjen tuaj të humorit. Në atë rast, ju duhet të ndaloni së përdoruri atë medikament dhe ta diskutoni me doktorin, i cili do t’ju gjejë ndonjë medikament tjetër.

A mund të martohem nëse kam çrregullim bipolar?

Martesa është një hap i madh për këdo, e sidomos për individët me bipolaritet. Si mund ta di nëse kjo që po ndiej është dashuri apo thjesht iluzion i nxitur nga hipomania apo mania? Kjo është një pyetje që individët bipolarë ia bëjnë vetes shpesh. Sidoqoftë, të kesh dikë që ju do dhe ju mbështet përkrah është shumë e rëndësishme dhe ka efekte të shumta pozitive. Sidoqoftë, siç e pamë në kapitullin V, mania ka shpesh efekte shkatërruese e të pariparueshme në një marrëdhënie romantike. Prandaj partneri juaj duhet të jetë në dijeni për diagnozën tuaj dhe, mundësisht, të jetë pjesë e trajtimit tuaj dhe në kontakt të vazhdueshëm me psikiatrin tek i cili vizitoheni. Një lidhje martesore mund të funksionojë normalisht vetëm nëse merrni terapinë e duhur.

Cilat janë mundësitë që fëmijët e mi të kenë çrregullimin bipolar?

Studimet tregojnë se kur të dy prindërit kanë çrregullim bipolar, gjasat që edhe fëmijët të kenë të njëjtën sëmundje janë 50 deri në 75%. Nëse është diagnostikuar vetëm njëri prind, kjo mundësi ulet në 15-30%. Megjithatë, këto statistika nënkuptojnë vetëm një prirje ndaj sëmundjes dhe jo një parashikim të sigurt se fëmija do të përjetojë simptomat.

Si të vendosë a të mbetem shtatzënë apo jo nëse kam çrregullim bipolar?

Çrregullimi bipolar është sëmundje gjenetike. Siç u përmend në përgjigjen e mëparshme, ka një përqindje të lartë mundësish që fëmijët e një prindi bipolar të bartin alelet dominante të gjeneve trashëguese të këtij çrregullimi. Më tej, ju duhet ta keni parasysh se trajtimi juaj me barna të tilla, si litiumi apo acidi valproik mund t’i bëjë dëm fëmijës në bark apo gjatë ushqyerjes me gji. Kështu që është jetike që ju të diskutoni me mjekun tuaj nëse mbeteni shtatzënë. Për më tepër, disa gra kanë raportuar se, gjatë përkujdesjes për fëmijën, orari i gjumit është çrregulluar deri në atë pikë sa ka nxitur episode maniake apo depresive. Rrjedhimisht, ju duhet që t’i merrni parasysh të gjitha këto në rast se vendosni të bëni fëmijë. Megjithëkëtë, individët bipolarë mund të jenë prindër shumë të mirë dhe shumë të përkushtuar. Prandaj, nëse vendosni të bëni fëmijë, është vendimi juaj, dhe askush s’mund t’jua mohojë këtë të drejtë.

Çfarë të bëj nëse kam probleme me gjumin?

Problemet me gjumin janë të zakonshme për personat me bipolaritet, qoftë gjatë manisë, ashtu edhe gjatë depresionit. Sipas shumë hulumtimeve ka rezultuar që privimi nga gjumi mund të nxisë episodet maniake. Rrjedhimisht, është shumë e rëndësishme që të mbani një orar gjumi të mirë dhe të rrini larg stimujve që mund t’ju lënë pa gjumë. Mbani dhomën të errët, mos hani shumë para se të flini, mos rrini zgjuar duke parë TV apo duke përdorur rrjetet sociale etj.

Cilat janë simptomat më pak të njohura të çrregullimit bipolar?

Simptoma më pak të njohura të çrregullimit bipolar janë: stresi, ndërmarrje e aktiviteteve të drejtuara nga një dëshirë e fortë për t’ia arritur pikësynimit (në anglisht njihet si goal-directed activity), fiksimi pas gjërave apo njerëzve të caktuar, një nevojë e theksuar për t’u shoqërizuar (shprehet me komunikim obsesiv në rrjete sociale apo përmes telefonit), shakatë e shumta gjatë hipomanisë (që në anglisht njihen si ‘puns’), xhelozia apo rivaliteti patologjik etj.

A është e vërtetë se individët bipolarë mund të dallohen nga sytë?

Disa njerëz thonë se individët maniakë mund të vërehen nga sytë pasi ata duken më të lëngshëm, më të shndritshëm dhe me bebëza më të hapura se normalisht. Këta quhen “sy maniaku” apo “sy bipolari”. Sidoqoftë, nuk ka studime të detajuara që e vërtetojnë këtë gjë.

Përse disa individë me çrregullim bipolar shprehen se, po të kishin mundësi zgjedhjeje, pa marrë parasysh vuajtjet e mëdha, prapë se prapë do të donin ta kishin çrregullimin bipolar?

Kay Redfield Jamison

Mund të duket si shumë e habitshme, mirëpo disa individë bipolarë thonë se s’do të donin të jetonin ndryshe përveçse si maniako-depresivë. Kay Jamison (1996), në librin e saj “An Unquiet Mind”, jep një shpjegim tejet të bukur, të cilin po e japim të plotë, në shqip, këtu:

Shumë shpesh e kam pyetur veten se, po të kisha pasur mundësi zgjedhjeje, a do të doja ta kisha sëmundjen maniako-depresive? Nëse s’do të kishte litium, ose s’do më bënte efekt, përgjigjja do të ishte një “jo” e prerë – dhe do të ishte një përgjigje e dhënë me lemeri. Por litiumi më bën efekt, dhe them se, në këtë rast, mund t’ia lejoj vetes këtë pyetje. Çuditërisht, mendoj se do të kisha zgjedhur ta kisha. Është e ndërlikuar. Depresioni është i tmerrshëm sa më s’ka; s’do të doja të kaloja nëpër një episod tjetër të gjatë përsëri. I shkatërron lidhjet përmes dyshimit, mungesës së vetëbesimit dhe vetërespektit, paaftësisë për të shijuar jetën, për të ecur, për të folur, apo për të menduar normalisht, rraskapitjes, maktheve të natës dhe atyre të ditës. Nuk të sjell asgjë të mirë përveçse të mëson se çfarë do të thotë të plakesh, të jesh e plakur dhe e sëmurë, të jesh duke vdekur; të jesh e vonuar nga mendja; të mos kesh hijeshi, çehre dhe koordinim; të jesh e shëmtuar; t’i shikosh me mosbesim mundësitë e jetës, kënaqësitë e seksit, nuancat e mprehta të muzikës, apo të humbasësh besimin se mund të qeshësh apo t’i bësh të tjerët të qeshin.

Disa thonë se e dinë se çfarë do të thotë të biesh në depresion vetëm sepse kanë kaluar një ndarje apo kanë humbur një punë. Por këto përvoja mbartin me vete ndjenja. Depresioni, në anën tjetër, është i sheshtë, i cekët, i padurueshëm. Është gjithashtu rraskapitës. Njerëzit e tjerë nuk durojnë dot të rrinë me ty kur je në depresion. Mund të mendojnë se duhet ta bënin, edhe mund ta provojnë, por ti e di, dhe ata e dinë, se je tejet e lodhur dhe nervoze, paranojake, pa humor, pa jetë, kritike dhe e vështirë, dhe asnjë fjali ngushëlluese nuk bën punë. Je e frikësuar dhe e frikshme, dhe s’je “në vete, por do jesh së shpejti”, veçse ti e di se nuk do të jesh.

Atëherë përse do të doja të kisha të bëja me këtë sëmundje? Sepse sinqerisht besoj se si pasojë e saj kam ndier më shumë gjëra, më fuqishëm; kam pasur më shumë përvoja, më intensive; kam dashuruar më shumë; kam qeshur më shpesh sepse kam qarë më shpesh; u kam qenë më mirënjohëse pranverave, për shkak të dimrave; e kam ndier vdekjen “më afër se dugaren në trup,” e kam vlerësuar atë – dhe jetën – më shumë; kam parë më të mirën dhe më të keqen te njerëzit, dhe ngadalë i kam mësuar vlerat e kujdesit, besnikërisë, dhe aftësisë për të mos u mashtruar nga të tjerët. E kam parë gjerësinë, gjatësinë dhe thellësinë e mendjes dhe zemrës sime dhe i kam parë sa të brishta që janë, dhe sa paskajshmërisht të pakuptueshme njëkohësisht. Gjatë depresionit kam ecur këmbadoras për të dalë nga dhoma, për muaj të tërë. Por, normale apo maniake, kam vrapuar, menduar, dhe dashur më shpejt se shumica e njerëzve që njoh. Dhe them se shumë nga këto janë të ndërlidhura me sëmundjen time – intensiteti që u jep gjërave dhe perspektiva që më imponon. Mendoj se më ka bërë t’i testoj kufijtë e mendjes sime (e cila, ndërsa dëshiron, duron) dhe të edukimit, familjes, arsimimit dhe shoqërisë sime.

Hipomanitë e panumërta, madje edhe vetë mania, kanë sjellë në jetën time një nivel tjetër të ndjeshmërisë, perceptimit, dhe të të menduarit. Edhe kur kam qenë tejet psikotike – me deluzione dhe halucinacione, e shkalluar – kam qenë në gjendje të gjej skuta të reja në mendjen e në zemrën time. Disa prej atyre skutave kanë qenë të bukura, të jashtëzakonshme, më kanë lënë pa frymë e më kanë bërë të ndihem sikur do të mund të vdisja aty, por e bindur se pamjet që po shihja do të më mbanin. Disa prej tyre ishin groteske dhe të shëmtuara dhe s’doja të dija se ishin aty dhe as doja t’i shikoja përsëri. Por, përherë kanë qenë ato skuta të reja dhe – kur ndihem se kam ardhur në vete, falë barnave dhe dashurisë – s’mund ta imagjinoj veten të mërzitur nga jeta, sepse i njoh ato skuta të pafundme, dhe pamjet e tyre të pakufishme.[1]

Si mund të jem më produktiv nëse kam çrregullim bipolar?

Për fat të keq, depresioni bën që individët me çrregullimin bipolar ta kenë të pamundur të gjejnë apo të bëjnë punë. Depresioni mund të zbutet aq sa t’ju mundësojë të jetoni normalisht dhe të jeni produktivë në punë vetëm nëse trajtohet me barna dhe ndiqni psikoterapi. Simptomat e manisë ose hipomanisë, në krahun tjetër, kanë efekte më të larmishme sa i përket produktivitetit të punës.

Obsesionet dhe fiksimet janë simptoma të zakonshme të manisë. Individët bipolarë nuk mund të përqendrohen mjaftueshëm ngaqë mendimet e tyre rrjedhin në shumë drejtime njëkohësisht. Sidoqoftë, ju mund të mësoni disa teknika për t’i mbajtur ato nën kontroll dhe të jeni në gjendje që t’i përfundoni detyrimet në punë apo projektet që keni nisur. Këto teknika përfshijnë, p.sh., bisedat sfiduese me veten (një metodë që përdoret në psikoterapi), zbërthimin e detyrave në pjesë më të vogla, përdorimin e kohëmatësit apo teknikave të tjera të monitorimit etj. Më tej mund të ushtroni edhe meditimin e ndërgjegjshëm, i cili ju ndihmon që të vëzhgoni dhe të njihni mendimet tuaja pa u ndier se duhet t’u përgjigjeni atyre.

A janë individët bipolarë narcisë?

Ekspertët e shëndetit mendor kanë zbuluar se gjatë manisë apo hipomanisë disa tipare të çrregullimit bipolar mund të jenë të njëjta apo shumë të ngjashme me disa simptoma të narcizmit. Këto përfshijnë: vënien e qëllimeve të larta (shpesh të paarritshme), të qenit shumë impulsiv, të pasurit vetëbesim të lartë apo perceptim madhështie për veten etj.

A duhet t’i them shefit se kam çrregullim bipolar?

Me ligj nuk jeni të detyruar t’u tregoni të tjerëve se keni çrregullim bipolar. Sidoqoftë, në disa raste, nëse shefi juaj është në dijeni për sëmundjen tuaj, do ta kishit më të lehtë për të kërkuar ditë pushimi gjatë episodeve me depresion. Sigurisht, përgjigjja se a duhet apo jo t’i thoni për problemin tuaj varet nga raporti që keni me të.

Çfarë diete të mbaj nëse kam çrregullim bipolar?

Së pari, duhet të keni shumë kujdes me ushqimet me sheqer, kafenë dhe pijet e tjera që përmbajnë kafeinë. Sheqeri mund të shtojë problemet me peshën, ndërsa kafeina nxit episodet maniake. Së dyti, duhet të jeni të kujdesshëm nga yndyrnat e pashëndetshme apo ushqimet me shumë kalori. Individët bipolarë rekomandohen të hanë më shumë fruta deti apo peshk (veçanërisht salmon apo ton, të pasura me Omega 3), fruta të ndryshme dhe perime (të pasura me vitamina, sidomos ato që kanë vitaminë D), dhe të pinë ujë apo lëngje frutash në vend të lëngjeve të gazuara dhe me shumë sheqer.

A mund t’i vazhdoj studimet e larta nëse kam çrregullim bipolar?

Sipas Aleancës Kombëtare për Sëmundjet Mendore, studentët bipolarë kanë 70% më shumë gjasa t’i ndërpresin studimet e tyre në krahasim me studentët e tjerë (2018). Megjithatë, studentët që marrin medikamentet dhe trajtimin e duhur, si dhe ndjekin një rutinë të caktuar, mund të arrijnë të studiojnë në universitet dhe të diplomohen me sukses.

A mund të bëj ushtrime fizike nëse kam bipolaritet?

Ushtrimet fizike janë tejet të rëndësishme për menaxhimin e çrregullimit bipolar. Sipas disa studimeve, ushtrimet fizike janë vlerësuar si shumë të dobishme kundër depresionit (ngaqë nxisin rrjedhjen e dopaminës në tru), ankthit dhe manisë (ngaqë mendja arrin të shkarkohet nga energjia e tepërt). Ushtrimet fizike po ashtu mund t’ju ruajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë më të shprehura ndër individët bipolarë.[2]

A janë individët bipolarë xhelozë?

Gjatë episodeve maniake dhe hipomaniake, individët bipolarë mund të shfaqin sjellje të tilla, si xhelozi patologjike dhe rivalitet. Ata mund t’i konsiderojnë sjelljet e të tjerëve si armiqësore apo të bëra qëllimisht kundër tyre. Kështu, p.sh., nëse një koleg pune vishet bukur, një individ maniak e merr këtë si përpjekje të tijën për t’ia kaluar në elegancë. Sigurisht, kjo nuk ndodh te të gjithë.

Cilat janë ndryshimet që duhet të bëj në stilin e jetesës nëse jam diagnostikuar si bipolar?

Mos dëgjoni muzikë me zë të lartë (mund të nxisë një episod manie), bëni sa më shumë ushtrime fizike, mos pini kafe apo lëngje me shumë sheqer, mos hani ushqime me shumë kolesterol apo yndyrna të pashëndetshme, mbani një orar gjumi të mirë, mos bëni ndryshime në rutinën tuaj të përditshme, mos pini alkool (as në sasi të vogla), dhe bëni kujdes nga gripi stinor (ngaqë shurupi për kollën mund të nxisë episode manie).

A janë personat bipolarë manipulues?

Një prej simptomave më pak të njohura të çrregullimit bipolar është sjellja obsesive për të arritur me çdo kusht një qëllim të caktuar. Në disa raste, individët bipolarë, të fiksuar pas ndonjë qëllimi, përdorin çdo mjet që munden, përfshirë manipulimin e të tjerëve, për ta arritur atë qëllim. Megjithatë, jo të gjithë individët bipolarë kanë tendenca të këtij lloji.

Cilat janë disa profesione të përshtatshme për individët bipolarë?

Ndikimi i stresit në punë ndikon jashtëzakonisht shumë dhe në mënyrë të paparashikueshme në humorin e një individi të sëmurë nga çrregullimi bipolar. Kështu, ka disa profesione të cilat mund të jenë gati-gati të papërballueshme për një temperament bipolar, si p.sh. shërbyes klienti, kamerier, apo mësues (të cilat kërkojnë angazhim të madh dhe përballje me njerëz që duan shërbime të caktuara apo kanë ankesa të ndryshme); zjarrfikës, polic, ose mjek (punë të cilat kërkojnë të ballafaqohesh me situata ekstreme) etj. Prandaj, disa prej punëve të përshtatshme për këta individë do të ishin ato që bëhen në ambiente të qeta, pa stres, dhe që nuk kërkojnë punë me orar të ndryshueshëm apo ndërrim nate. Të tilla do të mund të ishin: bibliotekar, arkivist, përgjegjës i ndonjë muzeu apo galerie arti, kopshtar, artist (sidomos në ato arte ku s’kërkohet dalje e shpeshtë para publikut), kërkues shkencor etj.

Referencat

    [1]Jamison, K. R. (1996). An Unquiet Mind. New York: Vintage Books. (Përkth. i autorit)
    [2]Wright K. A., Everson-Hock E. S., Taylor A. H. (2009). The effects of physical activity on physical and mental health among individuals with bipolar disorder: a systematic review. Mental Health Phys. Act. 2, 86–94.