
Ernest Hemingway konsiderohet si një prej shkrimtarëve më të njohur amerikanë, fitues i çmimit “Pulitzer” si dhe çmimit “Nobel” për letërsi. Megjithatë, pas fasadës së suksesit, Hemingway është përballur me një betejë të përjetshme kundër çrregullimit bipolar, alkoolizmit dhe problemeve të shëndetit fizik.
Në dhjetor të viti 1928, kur Hemingway ishte 29 vjeç, babai i tij vrau veten, duke qëlluar veten me një revole të familjes pas një periudhe të gjatë problemesh shëndetësore dhe financiare. Hemingway u trondit thellë nga vdekja e të atit, për të cilën fajësoi kryesisht nënën e tij. Zemërimi i shtohej ngaqë e konsideronte atë si një lëvizje prej "frikacaku" si dhe e lidhte me ndjenjën e dorëheqjes. Për më tepër, ai frikësohej se do të kishte të njëjtin fat si i ati, duke i shkruar vjehrrës së tij në atë kohë pak më vonë: "Me siguri do të vdes në të njëjtën mënyrë." Ai kreu vetëvrasje më 2 korrik 1961.
Gjatë kohës sa jetoi, shquhej si person shumë i luhatshëm, i cili pinte shumë dhe kishte periudha të gjata të depresionit por shpesh bëhej paranojak (në fund të jetës, para se të kryente vetëvrasje, mendonte se po e përndiqte FBI-ja) dhe miqtë i kthente në rivalë. Disa prej problemeve të shëndetit sigurisht lidheshin edhe me aksidentet e shumta që ka patur, si p.sh., plagosja gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, më vonë, rrëzimi i avionit nga i cili mbijetoi por me lëndime shumë të rënda në gjithë trupin.
Sidoqoftë, nuk ishte vetëm Hemingway që vuajti nga bipolariteti dhe alkoolizmi, pasi disa breza të familjes Hemingway ishin përballur me probleme të ngjashme. Një nga mbesat e Ernest-it e quajti bipolaritetin si "mallkimi i Hemingway-ve".
Copyright © Arlind Fazliu 2025 - All Rights Reserved - Çrregullimi bipolar