
Çrregullimi bipolar është sëmundje që zgjat gjatë gjithë jetës dhe, nëse nuk trajtohet me psikoterapi dhe barna, shoqëruar edhe me ndryshim të stilit të jetesës, ajo mund të përkeqësohet dhe të ndikojë negativisht në jetën shoqërore e profesionale të individëve bipolarë. ).[1] Gjersa mjekësia moderne nuk ka arritur të gjejë një kurë për këtë sëmundje, ekziston një numër i madh barnash të cilat mund të ndihmojnë personat me bipolaritet. Megjithëkëtë, individët bipolarë (qoftë të tipit I apo II) të cilët trajtohen sipas udhëzimeve të përcaktuara, janë vetëm 50% të kohës në gjendje eutimie. Më tej, mbi gjysma e tyre nuk reagojnë pozitivisht ndaj barnave të rekomanduara nga mjekët – kryesisht ngaqë për një numër të konsiderueshëm individësh efektet anësore të barnave janë të papërballueshme. Kësisoj, duke marrë parasysh simptomat e rënda që e karakterizojnë bipolaritetin si dhe efektet anësore të barnave ekzistuese, gjetja e opsioneve efektive të trajtimit përbën prioritet urgjent për psikofarmakologjinë.
"Është e tmerrshme kur e mendoj se gjithçka që kam vuajtur dhe të gjitha vuajtjet që kam shkaktuar, mund të kenë ardhur nga mungesa e pak kripe në trurin tim."
Robert Lowell
Barnat që përdoren për të trajtuar bipolaritetin përfshijnë stabilizues të humorit, antipsikotikë dhe antidepresivë. Këto barna mund të ndihmojnë në rregullimin e humorit, mund t’i zbusin simptomat deri në një nivel të përballueshëm, si dhe të parandalojnë rishfaqjen e ndonjë episodi maniak apo depresiv. Deri tani, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka lejuar për përdorim kundër çrregullimit bipolar disa barna, të cilat janë:
Sidoqoftë, të gjitha këto barna, edhe pse efektive gjatë provave klinike, shpeshherë janë praktikisht të kufizuara nga intoleranca apo efektet anësore, disa prej të cilave janë: shtim në peshë, të përziera (neveri), diarre, përgjumje, kapsllëk, pagjumësi, marramendje, nervozizëm psikomotorik (siklet; paaftësi për të ndenjur i qetë), tharje e gojës, etje, dëmtim konjitiv (mendime të ngadalta, vështirësi në gjetjen e fjalës së duhur, hutim, vështirësi në përqendrim, humbje e kreativitetit), dridhje (kryesisht e duarve), si dhe probleme seksuale (rënie e dëshirës dhe kënaqësisë seksuale).[2]
Barna të tjera që përshkruhen nga psikiatërit për trajtimin e këtij çrregullimi përfshijnë barna të cilat edhe pse s’janë miratuar nga FDA konkretisht, janë vlerësuar si të parrezikshme dhe efektive, si p.sh.: Lithium, Asenapine, Risperidone[3], Clozapine, Aripiprazole, dhe Ziprasidone.
Prej këtyre stabilizuesve të humorit ilaçi kryesor që përdoret në trajtimin e bipolaritetit është litiumi. Qysh kur u prezantua për herë të parë më 1949, si ilaç kundër manisë, ai është shndërruar në një prej shtyllave kyçe të psikofarmakologjisë. Disa madje e kanë quajtur "aspirina e psikiatrisë" pasi është zbuluar se ai reagon edhe kundër depresionit dhe mendimeve suicidale. Sidoqoftë, si medikament për mbajtjen nën kontroll të episodeve maniake dhe depresive të çrregullimit bipolar litiumi u përdor për herë të parë nga dy psikiatër danezë, Schou dhe Baastrup, më 1968. Litiumi zakonisht përshkruhet që të merret gjatë gjithë jetës. Në fillim ai jepet bashkë me ndonjë antipsikotik dhe një benzodiazepinë ngaqë litiumit i duhen disa ditë që të arrijë gjendjen e qëndrueshme. Megjithëkëtë, një numër i madh i individëve bipolarë e ndërpresin marrjen e tij si pasojë e efekteve anësore të tilla, si: diarre dhe të vjella, urinim i shpeshtë, etje dhe tharje e gojës, dridhje (sidomos e duarve), shtim peshe, dëmtim konjitiv (ngadalësim i theksuar në të menduar; humbje e kreativitetit), si dhe probleme seksuale (rënie e dëshirës dhe kënaqësisë seksuale). Për më tepër, përdorimi afatgjatë i litiumit mund të shkaktojë dëme edhe në gjëndrën tiroide dhe paratiroide, si dhe në veshka.
Schou ishte i vetëdijshëm dhe i shqetësuar për këto efekte të padëshirueshme të litiumit qysh herët. Ai vuri në dukje se për disa pacientë që merrnin litium, jeta ishte bërë më e sheshtë dhe më pa ngjyra sesa kishte qenë përpara se ta merrnin ilaçin.[4] Studiues të tjerë po ashtu vunë re se individët maniako-depresivë herë pas here ndiheshin më pak kreativë dhe produktivë, dhe se disa prej tyre nuk duronin dot idenë se do të mbeteshin gjithë jetën të privuar nga kënaqësitë që u ofronte një episod hipomaniak. Dëshira e madhe për të përjetuar episode të tilla është, në fakt, një arsye e rëndësishme pse shumë individë bipolarë ndalojnë përdorimin e litiumit përkundër këshillave të psikiatrit. Shumë individë bipolarë, veçanërisht ata që janë artistë krijues, thonë se litiumi u heq aftësitë krijuese dhe u pamundëson të shprehin talentin. Prandaj, shumica vendosin se një jetë me luhatje humori u leverdis më shumë sesa një jetë e mërzitshme e pa kënaqësi. "E di," shprehen disa, "se sa i rrezikshëm e i padurueshëm është depresioni, por jam në gjendje të rrezikoj, ngaqë e di se shumë shpejt do të shpërblehem nga episodet hipomaniake."
Në disa raste, kur barnat nuk funksionojnë, sidomos për depresionin, disa rekomandojnë terapinë elektrokonvulsive, e cila është vlerësuar si mjaft efektive dhe e sigurt, edhe pse mund të shoqërohet, ashtu si barnat, me efekte anësore të tilla, si: çorientimi, humbja e kujtesës, hutimi dhe në disa raste mund të nxisë edhe ndonjë episod të manisë.[5]
Megjithëkëtë, kur i diskutojmë problemet që lidhen me trajtimin e sëmundjes maniako-depresive, është më e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për pasojat përgjithësisht shumë më të këqija, shpesh fatale, të mostrajtimit të saj. Nuk ka asnjë dyshim se litiumi dhe antikonvulsantët janë jashtëzakonisht efektivë në trajtimin e sëmundjes maniako-depresive dhe parandalimin e vetëvrasjes. Kështu, ndërsa është e vërtetë që litiumi ka efekte anësore, është gjithashtu e vërtetë se sëmundja për të cilën merret është serioze dhe kërcënuese për jetën. Në këtë kuptim, litiumi nuk është edhe aq i ndryshëm, sa i përket efekteve anësore, nga ilaçet që përdoren në trajtimin e sëmundjeve të tjera potencialisht vdekjeprurëse, si kanceri dhe sëmundjet e zemrës. Askush nuk mund të jetë kreativ po qe i paralizuar nga depresioni, psikotik, i mbyllur në çmendinë, i lidhur, ose i vdekur për shkak të vetëvrasjes.[6]
Kështu, individët bipolarë ndodhen përballë një dileme të madhe klinike: të marr mjekim apo jo? Ata detyrohen të peshojnë rreziqet që rrjedhin si pasojë e përdorimit afatgjatë të barnave kundrejt rrezikut të rikthimit të ndonjë episodi të manisë apo depresionit nëse nuk marrin mjekim.[7]
Edhe pse barnat mbeten kyçe dhe të pazëvendësueshme për trajtimin e çrregullimit bipolar, ato, siç e pamë, nuk ofrojnë veçse një lehtësim të pjesshëm dhe të pamjaftueshëm. Rrjedhimisht, gjatë shekullit XX psikiatër të ndryshëm filluan ta shihnin bipolaritetin si një sëmundje kronike e cila trajtohet më së miri duke kombinuar barna dhe psikoterapi.[8] Në fakt, siç pohon psikiatri David Kahn: "Bipolariteti i dorëzohet psikoterapisë. Vuajtja e shtyn pacientin që të kërkojë ndihmë." [9]
Sidoqoftë, personat bipolarë kërkojnë ndihmë vetëm gjatë depresionit, ngaqë gjatë hipomanisë apo manisë individët bipolarë shpesh refuzojnë të marrin barna apo të ndjekin seanca psikoterapie. Kjo zakonisht ndodh për dy arsye. Së pari, maniakët nuk arrijnë ta kuptojnë se janë të sëmurë apo se po bëjnë veprime jonormale, dhe, së dyti, ata përjetojnë një eufori aq të madhe (biokimikisht është krahasuar me ndjesinë e përftuar nga kokaina), saqë çdo përpjekje për ta çuar te psikiatri e shohin si të panevojshme e madje edhe armiqësore. Prandaj, s’ka asgjë më të urryer për një maniak dhe psikiatër sesa të bisedojnë me njëri-tjetrin. Mania e përmbys çdo përpjekje të psikiatrit ndërsa (hipo)maniaku e konsideron atë një armik të përbetuar. Kështu, qëllimi i dëshiruar për psikiatrin dhe familjen e individit nuk është që të kurojnë maninë, ngaqë atë mund ta bëjë vetëm koha apo litiumi (ose barna të tjera antimaniake), por që të zbusin simptomat ekstreme te pacienti dhe ta mbajnë larg përdorimit të alkoolit apo substancave narkotike të cilat mund ta çojnë deri në vetëvrasje, psikozë, si dhe shkatërrim të marrëdhënieve personale dhe profesionale.
Trajtimi, po qe i mundur të iniciohet, mund të përfshijë terapi të tilla, si terapi konjitive-sjelljeje (CBT, nga anglishtja cognitive behavioural therapy) dhe psikoedukim. CBT-ja është një terapi që zhvillohet duke folur për problemet aktuale dhe jo, siç është e zakonshme në psikanalizë, për traumat apo problemet e së shkuarës. Ajo bazohet në konceptin se mendimet, ndjenjat dhe veprimet fizike janë të ndërlidhura, dhe se mendimet apo ndjenjat negative mund t’i bllokojnë individët brenda një cikli të pafund negativ. Kështu, terapia CBT mund t’i ndihmojë ata për t’i ndryshuar këto modele negative në mënyrë që të përmirësojnë mënyrën se si ndihen dhe si mendojnë. Psikoedukimi, në krahun tjetër, ka për qëllim t’i ofrojë individit dhe familjes së tij njohuri rreth aspekteve të ndryshme të sëmundjes dhe trajtimit të saj, në mënyrë që ata të mund të punojnë së bashku me profesionistët e shëndetit mendor për një rezultat të përgjithshëm sa më të mirë. Për shembull, përmes psikoedukimit ata mund të mësojnë se cilat janë shenjat paralajmëruese të nisjes së episodeve maniake apo depresive, për rrezikun e pashmangshëm me të cilin do të përballen po qe se nuk i marrin barnat [10], si t’i përdorin ato në mënyrë të sigurt etj.
Studime të shumta kanë vërtetuar se individët të cilët ndjekin seanca të rregullta me psikologun, qoftë në format tek e tek, në çift, apo në grup (me individë të tjerë apo me familjen), dhe që kanë marrë edukimin e duhur psikik, shërohen më shpejt nga episodet depresive, parandalojnë nisjen e ndonjë episodi të ri të humorit, si dhe janë më të përgatitur për t’u përballur me simptomat dhe efektet anësore të medikamenteve. Në fakt, një nga qëllimet kryesore të bërjes së psikoterapisë me individët bipolarë është të bëhet e mundur që të marrin doza më të ulëta të litiumit, duke ulur kështu efektet anësore. Më tej, është vërtetuar se psikoterapia dhe psikoedukimi ndihmojnë edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës.[11]
Copyright © Arlind Fazliu 2025 - All Rights Reserved - Çrregullimi bipolar