
Edhe pse Krepelini arriti të bëjë dallimin midis bipolaritetit dhe skizofrenisë dhe përshkroi saktë simptomat e sëmundjes dhe natyrën e saj episodike, fatkeqësisht ai gjeti vetëm dy këshilla për ta trajtuar atë: t’i largojnë "personat acarues" dhe të rrinë në shtrat derisa të zbuten simptomat. [1] Këto dy këshilla mbeten të vlefshme edhe sot, ndërsa psikiatërit dhe psikologët sugjerojnë që individi i sëmurë duhet të bëjë një ndryshim rrënjësor të stilit të jetës në mënyrë që të menaxhojë sa më mirë dhe sa më lehtë sëmundjen e vet.
Kështu, pikësëpari, duhet ndalur pirja e alkoolit, drogave, duhanit, apo ilaçeve të paligjshme të papërshkruara nga mjeku. Fatkeqësisht, në përpjekje për t’u vetëkuruar, një numër i madh i individëve bipolarë (rreth 60%) mundohen t’i përballojnë simptomat e sëmundjes përmes drogave apo alkoolit. Por, këto janë përpjekje të kota dhe, çfarë është edhe më keq, e përkeqësojnë gjendjen e individit dhe mund ta shpien atë drejt vetëvrasjes.
Së dyti, duhet bërë vazhdimisht aktivitet fizik (qoftë sport apo ushtrime gjimnastikore). Ushtrimet fizike mundësojnë që të zbrazet energjia e tepruar që grumbullohet gjatë manisë dhe e mbajnë trupin të shëndetshëm.
Së treti, është vërtetuar se besimi fetar mund të jetë tejet pozitiv në parandalimin e vetëvrasjes, përdorimin e alkoolit apo drogës, apo marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore. Kështu, është mjaft e rëndësishme që individi bipolar të mbajë një lidhje të fortë me fenë e tij dhe të jetë pjesë e një komuniteti besimtarësh të cilët mund ta mbështesin në momente të vështira. Sidoqoftë, religjioni nganjëherë mund t’i vërë pacientët në konflikt me trajtimet e sugjeruara nga mjeku. Prandaj, është e rëndësishme që pacienti të marrë psikoedukimin e duhur dhe të mos ndalojë së marri barnat.
Së katërti, është e rëndësishme të mbahet, aq sa është e mundur, një orar i shëndetshëm i gjumit.
Së pesti, është e zakonshme që gjatë një episodi maniak individi bipolar të harxhojë të gjitha paratë duke blerë gjëra të shumta dhe pa kontroll. Kështu, këshillohet që këta persona t’i vënë paratë dhe kursimet e tyre në ndonjë llogari bankare me përdorim të limituar në mënyrë që të mos mund t’i shpenzojnë të gjitha përnjëherësh.
Për fund, duhet të ceket – në vijë me zbulimet e studimit të bërë në Australi (shih) – se individët bipolarë duhet të mos pinë pije stimuluese si ato energjike apo kafe, të hanë shëndetshëm (p.sh. të mos hanë ushqime me shumë sheqer), të mos dëgjojnë muzikë me zë të lartë (edhe pse preferohet që të mos dëgjohet fare ngaqë ndikimi i muzikës në ndryshimin e humorit është tejet i madh), të mos shkohet në ahengje të gjata gjatë natës (për shkak të ambientit stimulues, muzikës së lartë, dhe privimit nga gjumi); të parandalojë, aq sa është e mundur, ftohjen (në mënyrë që të mos pijë shurup për kollë), të mos bëjë aktivitete shumë të rënda fizike, si dhe të jetojë afër familjes. Ngaqë është vërejtur se edhe propaganda mund të nxisë ciklotiminë, është e këshillueshme që këta individë të mos dëgjojnë emisione televizive me përmbajtje politike propaganduese.
Copyright © Arlind Fazliu 2025 - All Rights Reserved - Çrregullimi bipolar