
Pothuajse të gjitha elementet që përbëjnë trupin e njeriut, karboni, oksigjeni, hekuri, bakri, nitrogjeni, potasiumi, sodiumi, magnezi, fosfori etj., gjenden edhe në Tokë. Sidoqoftë, astrofizikanët kanë zbuluar se këto elemente s’janë krijuar në Tokë përmes ndonjë procesi të caktuar, por kanë ‘zbritur’ nga yje të largëta që kanë shpërthyer miliarda vite më parë, si supernova, dhe janë shpërndarë në univers, përfshirë planetin blu, në formën e pluhurit kozmik.[1]
Pra, teknikisht, siç thoshte fizikani Carl Sagan, të gjithë ne përbëhemi nga copëza të imta pluhuri yjesh, pa të cilat ekzistenca jonë s’do qe e mundur. Në të njëjtën kohë, shkenca e mjekësisë ka zbuluar se teprica ose mungesa e këtyre elementeve brenda trupit tonë mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme. Ata që vuajnë nga Alzheimer-i, për shembull, kanë problem me sasinë e bakrit në tru. Disa të tjerë, që kanë mungesë hekuri, vuajnë nga anemia.[2] Për disa, këto fakte shkencore mund të përdoren si justifikim për ata që dikur fajësonin yjet për sëmundjet dhe gjendjet e rënduara shpirtërore. Megjithatë, Shekspiri s’bëri keq që e tha troç te "Jul Qezari" se "s’na kanë yjtë faj, i dashur Brut, po vetë ne, që jemi zemërdobët." (Akti i parë, Skena e dytë; shqipëruar nga Fan Noli)
Megjithatë, sëmundjet mendore, si çrregullimi bipolar, mbeten pjesë të pandashme të ekzistencës njerëzore. Skeletet e lashta, të gërmuara nga arkeologët, na tregojnë se impulset patologjike janë më të hershme se të dhënat e shkruara[3]; ato vazhdojnë të sfidojnë njohuritë e aftësitë teknike të shekullit tonë. Megjithëse, mesatarisht, tani vdesim në moshë më të shtyrë, nga sëmundje kronike e jo akute, në shtretër të rehatshëm të spitaleve a qendrave mjekësore dhe jo në shtëpitë apo apartamentet tona, ende nuk e kemi zhdukur agoninë, paaftësinë apo frikën nga vdekja. Sëmundjet nuk diskriminojnë në bazë të gjinisë, racës apo statusit shoqëror, pasi burrat dhe gratë e të gjitha profesioneve dhe racave mund të preken njësoj dhe shpesh pa ndonjë paralajmërim. Ato na imponohen, shpesh për të na vrarë, jo vetëm në trupat, por edhe në mendjet tona.
Luixhi Pirandello, dramaturgu i madh italian, shkruante në kryeveprën e tij "Gjashtë personazhe në kërkim të autorit" se "njeriu s’bie asnjëherë në mendime më të thella sesa kur vuan; ngaqë kërkon të zbulojë shkaktarin e vuajtjeve, të mësojë se kush i ka prodhuar, dhe nëse i meriton ato apo jo."[4]
Kjo është për të thënë se sëmundja kërkon një shpjegim; mendojmë për të dhe mendojmë me të. Përse u sëmura? Pse tani? Prej nga më erdhi? Mbeten enigma të pazbërthyera të çrregullimeve mendore. Nëse duam të kemi ndonjë shpresë për të kuptuar psikikën tonë, duhet të mbështetemi në njohuritë e përftuara përmes kërkimeve shkencore, mirëpo edhe mjekësia më e avancuar ka gjithmonë mangësitë e saj praktike. Prandaj, duket se s’kemi zgjidhje tjetër veçse të pranojmë fatin e Hamletit, apo të Antonios, personazhit kryesor të tragjedisë "Tregtari i Venedikut", i cili, duke lënguar nga një gjendje e rëndë shpirtërore, me sa duket i prekur nga një melankoli mbytëse dhe e mistershme, hap dramën duke thënë:
Më thertë! S’di, ç’më zuri ky trishtim:
Më lodhi; thatë se dhe ju ju lodhi;
Po qysh e gjeta a si më ra në kokë,
Prej çfarë brumi është e ku ka lindur,
Këtë më duhet kohë ta marr vesh;
Aq keq e humba mendjen nga kjo brengë,
Sa mezi jam i zoti të njoh veten. (Akti I, Skena I; shqipëruar nga Skënder Luarasi)
Sidoqoftë, ia vlen të përmendim të paktën ato çfarë dimë deri tani për etiologjinë e çrregullimit bipolar, e që është se ai shfaqet nga një ndërveprim kompleks i faktorëve gjenetikë, biologjikë dhe mjedisorë.[5] Le t’i shohim të tria më me hollësi.
Çrregullimi bipolar mund të trashëgohet.[6] Kështu, sipas DSM-V, të afërmit e rritur të individëve bipolarë (të tipit I dhe II) janë mesatarisht dhjetëfish më të predispozuar të shfaqin simptoma të bipolaritetit, por kjo shkallë mund të jetë edhe më e madhe në varësi të shkallës së lidhjes farefisnore. Që çrregullimet mendore mund të trashëgohen u zbulua për herë të parë nga mesi i viteve 1840 kur psikiatri frëng Jules Baillarger bëri një punim shkencor në të cilin nxori shifra statistikore për trashëgiminë e këtyre sëmundjeve.[7] Gjatë atyre viteve, si dhe dikur më vonë, ishte i përhapur edhe mendimi se trashëgimia duhej të "mblidhej" gjatë disa brezave përpara se sëmundja të shfaqej te ndonjë i çmendur fatkeq.[8] Në këtë mënyrë, njerëzit besonin që gjenet "e këqija" dobësonin gjeneratat e ardhshme (ky mendim nxiti pasoja të rënda, një shekull më vonë, për të sëmurët mendorë që ranë në duart e "psikiatërve" nazistë).[9]
Sidoqoftë, studimet e fundit kanë identifikuar disa gjene që mendohet të kenë lidhje të ngushtë me zhvillimin e bipolaritetit. Një prej tyre është CACNA1C, i cili shifron një proteinë që ndihmon në rregullimin e kanaleve të kalciumit në tru. Një ndryshim i këtij gjeni, rrjedhimisht, është parë si shkaktar i mundshëm i sëmundjeve si ajo maniako-depresive, por edhe i depresionit unipolar apo skizofrenisë.[10] Gjene të tjera që mendohet të jenë shkaktarë përfshijnë ANK3, i cili bën rregullimin e kanaleve jonike në tru[11], si dhe BDNF, që ndihmon në rritjen dhe mbijetesën e neuroneve.[12] Përveç kësaj, janë identifikuar edhe disa rajone gjenetike që mund të kenë rol në zhvillimin e çrregullimit bipolar, megjithëse gjenet specifike të përfshira nuk janë zbuluar akoma. Megjithëkëtë, disa studiues kanë shprehur shqetësim për sa u përket ndërhyrjeve gjenetike (po u bënë të mundshme); aftësitë krijuese të individëve bipolarë dhe përfitimet që i sjellin kapitalit të përgjithshëm njerëzor janë faktorë pse eliminimi i sëmundjes maniako-depresive mund të mos jetë zgjidhja e duhur.[13]
Sa i përket teorisë së evolucionit, një hipotezë mjaft interesante, dhe – në shikim të parë – goxha bindëse, është paraqitur nga Julia Sherman, e cila beson se origjina e bipolaritetit mund të shpjegohet përmes evolucionit. Sipas saj, episodet maniake dhe depresive në çrregullimin bipolar – të cilat është vërtetuar se kanë një epidemiologji përshtatjeje; pra, ndikohen shumë nga ndryshimi i stinëve (shumica e individëve bipolarë bëhen maniakë gjatë verës e depresivë gjatë dimrit), apo orës biologjike – ka të ngjarë që të jenë evoluuar në zonat e buta të hemisferës veriore si mënyrë përshtatjeje të paraardhësve tanë ndaj kushteve të rënda klimatike gjatë pleistocenit[14] Këta paraardhës mendohet të kenë qenë një grup hominoidësh të quajtur neandertalë (homo neanderthalensis), të cilët kanë jetuar në Evropë dhe në një pjesë të Azisë dhe janë çiftuar me njerëzit (homo sapiens).[15]
Për ta shpjeguar shkurt: këta ishin përshtatur që gjatë dimrit të shfaqnin simptoma të depresionit në mënyrë që të ruanin energjinë gjatë muajve të gjatë kur rrinin të mbyllur në shpella (nuk hanin, s’bënin seks, nuk shoqërizoheshin, dhe flinin gjatë) ndërsa bëheshin hipomaniakë gjatë muajve të shkurtër të ngrohtë e që ishte kohë për të dalë në gjueti, për t’u çiftuar, dhe për t’u shoqërizuar. Si argument përmendet edhe fakti se te zezakët, të cilët nuk kanë gjene të neandertalëve, ka shumë më pak raste me bipolaritet në krahasim me të bardhët.[16]
Një tjetër shkaktar i bipolaritetit, përveç faktorit gjenetik apo evolucionar, mendohet të jetë edhe ndonjë çekuilibër i disa prej hormoneve dhe neurotransmetuesve në tru, si serotonina, dopamina, dhe norepinefrina. Ngaqë këto hormone janë rregullatorë të humorit (p.sh., serotonina njihet ndryshe edhe si hormoni i lumturisë), një çekuilibër midis tyre mund të çojë deri te luhatjet e humorit apo simptoma të tjera të bipolaritetit.[17]
Disa studime të tjera po ashtu kanë treguar se ca njerëz me çrregullim bipolar kanë një strukturë dhe funksion të ndryshëm të disa zonave të caktuara të trurit, si korteksi paraballor, amigdala apo hipokampusi. Këto mund të kontribuojnë në shfaqjen e këtij çrregullimi.[18]
Traumat apo situatat stresuese në jetë të tilla, si abuzimi (p.sh., seksual), humbja e një personi të dashur apo problemet financiare, mund të shkaktojnë çrregullim bipolar te disa njerëz. Faktorët mjedisorë po ashtu mund të ndikojnë në nxitjen e episodeve të depresionit dhe manisë, apo edhe të të dyjave.[19]
Sipas një studimi të vitit 2012 në Australi, ku hulumtuesit analizuan shkaktarët më të spikatur të depresionit dhe manisë në mbi 200 individë bipolarë, u vërejt se shkaktarët më të zakonshëm që nxisin episodet maniake apo hipomaniake përfshinin rënien në dashuri, konsumimin e sheqerit, kafeinën, përdorimin e drogës, fillimin e ndonjë ndërmarrjeje krijuese, ahengjet e gjata, të shkuarit në pushime, si dhe dëgjimin e muzikës me zë të lartë. Nxitësit e episodeve të depresionit, në anën tjetër, përfshinin ngjarje stresuese të jetës apo stresin e përgjithshëm, lodhjen, privimin nga gjumi, lëndimet fizike apo sëmundjet e tjera, menstruacionet, mallin për shtëpinë (familjen), si dhe rënien e aktivitetit fizik. Për më tepër, ata zbuluan se disa shkaqe kontribuonin në nxitjen e të dyjave, e që përfshinin situatat kaotike, ndryshimin e rutinës, pirjen e alkoolit, marihuanën, jetlag-un, pirjen e duhanit si dhe përdorimin e ilaçeve kundër gripit.[20]
Copyright © Arlind Fazliu 2025 - All Rights Reserved - Çrregullimi bipolar