
Ekziston një paradoks shumë i çuditshëm te marrëdhëniet, qofshin ato profesionale, shoqërore, a romantike, me një individ bipolar: nuk ka asgjë më të lehtë sesa të bëhesh mik ose ortak, apo të biesh në dashuri me ta[1] , e njëkohësisht s’ka asgjë më të vështirë sesa ta mbash atë lidhje për një kohë të gjatë. Luhatjet e tyre të shpeshta e të paparashikueshme të humorit ndikojnë negativisht te të gjithë të përfshirët në jetën e tyre. Në njërën anë, mania i shtyn ata që të marrin vendime të ngutshme apo të veprojnë vrullshëm pa menduar për pasojat: disa marrin drogë, pinë alkool, luajnë bixhoz, fjalosen apo përleshen me njerëz të tjerë në rrugë, fiksohen pas seksit dhe kryejnë marrëdhënie seksuale jashtëmartesore; shajnë, akuzojnë, apo kërcënojnë familjarët, partnerët dhe shokët e tyre. Gjatë depresionit, në anën tjetër, ata mund të shmangin fare kontaktin seksual dhe kjo e bën partnerin e tyre konfuz dhe të ndihet i refuzuar, veçanërisht nëse, paraprakisht, gjatë manisë, ata kanë kërkuar seks shpesh. Kjo mund të ndodhë edhe ngaqë një prej efekteve anësore të shumë prej barnave kundër bipolaritetit përfshin uljen e dëshirës seksuale. Këto sjellje, fatkeqësisht, prishin çdo marrëdhënie që individët bipolarë mund të kenë krijuar gjatë kohës kur kanë qenë hipomaniakë apo pa simptoma.
Sigurisht, këto lloj sjelljesh janë të patolerueshme në një mjedis pune apo arsimimi, prandaj për individët bipolarë është mjaft e vështirë të gjejnë apo të ruajnë një vend pune. Stresi që vjen me punën gjithashtu mund t’ua nxisë apo t’ua përkeqësojë simptomat. Rrjedhimisht, partneri i tyre mund të ndiejë presion për t’u ofruar mbështetje financiare derisa të zbuten simptomat apo derisa sëmundja të të menaxhohet. Ky presion rritet edhe më shumë kur ka fëmijë të përfshirë. Në atë rast, partneri i një personi bipolar duhet të bëjë të pamundurën që të krijojë një ambient të sigurt dhe të këndshëm për fëmijët, e që nuk është aq e lehtë kur babai ose nëna bipolare mund të bëjë sjellje të çrregullta të cilat mund t’i frikësojnë ata.
Sidoqoftë, ruajtja e marrëdhënieve me individët bipolarë, edhe pse e vështirë, nuk është krejtësisht e pamundshme. Për partnerët e njerëzve bipolarë këshillohet të ndjekin seanca të këshillimit për çifte, të marrin një psikoedukim të mirëfilltë për sëmundjen, dhe – po të qe mundësia – të përfshihen në trajtimin e partnerit të tyre (të shkojnë, herë pas here, te psikiatri së bashku). Të tria këto mund të ndihmojnë për të kuptuar se sjelljet e çrregullta dhe shpeshherë lënduese të partnerit rrjedhin nga një sëmundje serioze dhe nuk janë pasqyrim i vërtetë i karakterit të tyre. Kësisoj, ata mund të mësojnë të falin sjelljen që ka ndodhur gjatë një episodi maniak, të përballojnë shqetësimet për veprimet e çrregullta, dhe të vendosin kufij me partnerin e tyre për kujdesin ndaj shëndetit mendor.
Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm për ruajtjen e marrëdhënieve me një bipolar ka të bëjë me kujdesin për veten. Shumë shpesh, duke u përkujdesur për partnerin e tyre, disa harrojnë se të qenit në një marrëdhënie të shëndetshme me dikë me çrregullim bipolar kërkon jo vetëm menaxhim të kujdesshëm të sëmundjes së tyre, por edhe caktimin e kohës për t’u kujdesur mirë për veten – qoftë duke u vizituar te psikologu, duke bërë joga, apo duke bërë aktivitete të ndryshme. Kjo është mjaft e rëndësishme edhe për t’u ruajtur nga folie à deux, një formë psikoze (p.sh., paranojë, halucinacione, apo deluzione) që transmetohet nga një individ i sëmurë te një i shëndoshë.[2]
Copyright © Arlind Fazliu 2025 - All Rights Reserved - Çrregullimi bipolar