
Sipas mendimit të përgjithshëm të psikiatërve ekzistojnë tre tipa kryesorë të bipolaritetit: tip bipolar I, II, dhe III (apo ciklotimi). Këta tipa ndryshojnë mes tyre kryesisht ne bazë të ashpërsisë dhe kohëzgjatjes së simptomave që shfaqin. Megjithatë, DSM-V përmend edhe një tip të katërt, të paspecifikuar, që shkaktohet nga sëmundje të tjera apo nga përdorimi i substancave narkotike.
Kështu, tipi bipolar I është më i rëndi, ngaqë luhatjet e humorit lëvizin midis depresionit të madh dhe manisë së skajshme. Individët që kanë tipin II, në krahun tjetër, përjetojnë po ashtu episode me depresion të skajshëm, por jo mani të rëndë; këta, ndryshe nga individët që kanë tipin I, përjetojnë vetëm periudha të hipomanisë. Ky fenotip i bipolaritetit është më i shpeshti nga i gjithë spektri bipolar.[1] Zakonisht psikiatërit e konsiderojnë tipin II të bipolaritetit si më pak të rëndë, por DSM-V na e rikujton se këta individë prapë se prapë kanë periudha të gjata dhe të rënda depresioni, si dhe humor të paqëndrueshëm që u shkakton probleme të shumta qoftë në marrëdhëniet shoqërore apo në ato profesionale. Kështu, DSM-V nuk e vlerëson tipin II si “më pak serioz” se tipin I. .[2]
Tipi III, i njohur ndryshe edhe me termin ciklotimi, është tipi më i butë i bipolaritetit. Individët ciklotimik zakonisht kanë predispozitë gjenetike për të qenë melankolikë si paraardhësit e tyre. Këta individë mund të përjetojnë ngritje humori, shoqërizim, rrjedhshmëri në të folur, kreativitet dhe motivim të lartë që pasohen nga periudha të gjata heshtjeje, humor të keq, shkurajim, vetizolim, dhe acarim. Disa psikiatër janë skeptikë për përdorimin e termit “tip III” ngaqë nuk e konsiderojnë ciklotiminë si pjesë përbërëse të spektrit bipolar. Sidoqoftë, shumica dërrmuese mendojnë që ciklotimia ka gjasa të mëdha për t’u shndërruar në bipolaritet të tipit I apo II dhe prandaj e fusin në të njëjtin grup.
Copyright © Arlind Fazliu 2025 - All Rights Reserved - Çrregullimi bipolar