Artikull

Mania dhe krijimtaria artistike

Arlind Fazliu

Njerëzit më kanë quajtur të çmendur; por çështja ende s’është zgjidhur: nëse çmenduria është apo jo inteligjenca më e lartë, nëse shumë nga ç’është e lavdishme, nëse gjithçka çfarë është e thellë nuk buron nga sëmundjet mendore, nga humori i tejngritur gjer në madhështi në kurriz të intelektit të rëndomtë.[1]

– Edgar Allan Poe, Eleonora

Një mori specialistësh të shëndetit mendor, akademikësh dhe artistësh bashkëkohorë, ashtu si Sokrati dhe Aristoteli para më se 2000 vitesh, kanë vërejtur shpesh se, pavarësisht shtrirjes së gjerë të çrregullimeve të humorit (ato mund të prekin këdo), tipat me prirje artistike (e veçanërisht poetët) janë më të predispozuar që të vuajnë nga sëmundje të tilla, të cilat, po u manifestuan me simptoma të rënda, marrin jetën e deri në 20% të këtyre individëve.[2] Ndër figurat më të shquara që kanë jetuar me çrregullimin maniako-depresiv janë Robert Schumann, Vincent van Gogh dhe Lord Bajron.

Robert Schumann, kompozitori i njohur gjerman i shek. XIX, ka vuajtur nga çrregullimi maniako-depresiv qysh prej vitit 1833, dhe ka vdekur më 1856, në një çmendinë të Bonn-it, ku ishte shtruar pasi kishte tentuar që të vetëvritej duke u hedhur në lumin Rin. I ati, e ëma dhe motra vuanin po ashtu nga depresioni dhe çrregullimi bipolar; motra e tij, Emilie, për fat të keq, vrau veten më 1825. Vetë Schumann-i ishte një djalë shumë i ndjeshëm, i rënë thellë në mendime, që fliste butë e dukej si i përhumbur në botën e ëndrrave; idealist dhe bujar. Ai njihej, veçanërisht gjatë kohës kur studionte për drejtësi në universitetin e Leipzig-ut, për jetën e tij të shtrenjtë e ekstravagante; atij i pëlqenin cigaret puro dhe shampanja, dhe ishte i dhënë pas poezisë dhe muzikës. Sidoqoftë, gjatë asaj kohe ai filloi të përjetonte ndryshime të theksuara të humorit, të cilat vazhduan t’i shfaqeshin pothuajse gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tij.[3]

Robert Schumann më 1839, vizatuar nga Josef Kriehuber

Gjatë karrierës së tij të larmishme, edhe pse të shkurtër, Schumann-i kompozoi vepra të shumta të muzikës klasike, shumë prej të cilave pasqyrojnë sheshazi natyrën episodike të sëmundjes së tij. Për shembull, nuk është aspak e vështirë – edhe për dikë që s’ka vesh për muzikën klasike – të diktojë në kompozimin e tij më të famshëm, Carnaval, Op. 9, kalimin nga notat e mprehta melankolike, që luhen ngadalë dhe ndjellin pikëllim, në ato dramatike dhe që luhen befas dhe furishëm, e që sjellin ndër mend maninë. Ia vlen po ashtu të theksojmë se gjatë episodeve me depresion ai nuk arrinte të punonte pothuajse fare, ndërkohë që punën më të madhe dhe më të mirë e bënte gjatë periudhave kur kishte hipomani apo gjendje eutimie[4] .

Schumann-i, i cili kishte një imagjinatë tejet të zhvilluar, sapo i kishin filluar simptomat e çrregullimit bipolar, kishte shpikur në mendje dy personazhe fiktive për ta ngushëlluar gjatë momenteve të rënda. Ata quheshin Eusebius dhe Florestan. I pari, sipas tij, ishte një person melankolik, i rënë në mendime, romantik dhe i heshtur; i dyti, në krahun tjetër, ishte tip i fortë, burrëror, i harbuar dhe ambicioz. S’është nevoja ta themi se këta dy ishin vetë Schumann-i dhe pasqyronin natyrën bipolare të mendjes së tij: Eusebius ishte Schumann-i gjatë një episodi depresiv, ndërsa Florestani ishte Schumann-i kur bëhej maniak. Schumann-i, për më tepër, i titulloi me këta emra dy prej njëzet e një pjesëve të Carnaval-it të tij nr. 9, ndërsa kalimi nga njëri te tjetri rrjedh krejt papritmas; dëgjuesit e papërgatitur tremben nga ky ndryshim i beftë e i paparalajmëruar. Kështu, përmes notave muzikore të këtyre dy pjesëve, ai na shfaq se sa befasishëm ndryshon humori i një bipolari midis depresionit dhe manisë.

Më 1854 sëmundja e tij u përkeqësua. Disa thonë se ai u sëmur edhe nga sifilizi, por kjo s’u vërtetua asnjëherë. Gruaja e tij, Klara, shkruante në ditarin e saj atë çfarë Schumann-i s’arrinte ta bënte vetë:

Natën, jo shumë kohë pasi ishim shtrirë për të fjetur, Roberti u ngrit dhe shkroi një melodi të cilën tha se ia kishin kënduar engjëjt. Pasi u shtri përsëri, ai filloi të fliste në jerm, me sytë ngulur në tavan gjatë gjithë kohës. Kur u gdhi, engjëjt iu shndërruan në djaj dhe i këndonin muzikë të lemerishme, duke e akuzuar se ishte mëkatar dhe do ta hidhnin në ferr. Ai u bë histerik dhe bërtiste nga agonia, ngaqë i dukej se po e sulmonin si tigra dhe hiena dhe po e kapnin me kthetrat e tyre. Dy mjekët që erdhën, mezi arritën ta kontrollonin.[5]

Përshkrimi i Klarës u bë më 10 shkurt, ndërkohë që ditët në vijim humori i tij vazhdonte të luhatej në mënyrë drastike nga njëri ekstrem te tjetri. Më 27 shkurt, duke dënesur dhe pa e veshur pallton, Schumann-i doli nga shtëpia me nxitim dhe u hodh në lumin Rin. Ai u shpëtua nga disa marinarë dhe u çua në shtëpinë e të çmendurve në Endenich, afër Bonn-it, nga ku s’doli më. Ai vdiq nga pneumonia dhe uria më 1856, pasi refuzoi të hante (kishte frikë se po përpiqeshin ta helmonin).

Një tjetër figurë e shquar që ka pasur çrregullim bipolar është Vincent van Gogh. Ata që e duan pikturën, s’ka se si të mos jenë të njohur me jetën dhe veprat e tij. Kushdo që ia ka dëgjuar emrin ka të ngjarë ta ketë parë pikturën e tij të famshme “Starry Night” ose të ketë dëgjuar historinë se si e ka prerë veshin e vet.[6] Mirëpo, jo të gjithë e dinë se Van Gogh-u ka vuajtur për shumë vite nga sëmundja maniako-depresive. Në fakt, Dita Botërore e Çrregullimit Bipolar shënohet më 30 mars pikërisht për shkak të datëlindjes së tij.

Nëpërmjet punës së tij – letrave të bukura drejtuar Teos, vëllait të tij, dhe pikturave që, për fat të keq, s’arriti t’i shiste apo t’i shihte të bëheshin të famshme sa ishte gjallë – u bë i pavdekshëm; si njeri ishte i dështuar, sepse s’mësoi asnjëherë vetëpërmbajtjen. Indinjata dhe dëshpërimi e shoqëruan gjatë gjithë jetës dhe është e dhimbshme po ta mendojmë agoninë që duhet të ketë përjetuar para se të vetëvritej.

“Self-portrait with Bandaged Ear” nga Vincent van Gogh, 1889.
Fotografia: Peter Barritt/Getty Images/SuperStock RM

Me sa duket, ky gjeni i shkathët ishte një nga njerëzit më vetmitarë që ka jetuar ndonjëherë. I rrënuar nga çrregullimi bipolar gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër, ai mezi gjente fjalët për të përshkruar vuajtjet e tij: “Nuk jam në gjendje të përshkruaj saktësisht se çfarë po ndodh me mua. Herë pas here kam sulme të tmerrshme ankthi, me sa duket pa shkak, ose përndryshe një ndjenjë zbrazëtie dhe lodhjeje në kokë... Ndonjëherë kam sulme melankolie dhe pendimi mizor.”[7] Ndërkohë, Teo, i cili ishte mbështetja e tij më e madhe deri në fund të jetës, i tregonte nënës: “Janë dy njerëz brenda Vincent-it, njëri jashtëzakonisht i talentuar, i ndjeshëm dhe i butë, tjetri egoist dhe i pandjeshëm. Jam i sigurt se ai është armik i vetvetes, sepse helmon jo vetëm jetën e të tjerëve, por edhe jetën e vet, por edhe farat e madhështisë janë në të.” [8]

Artisti tjetër që përmendëm ishte poeti kombëtar anglez, Bajroni, i cili shprehej, për veten dhe poetët e tjerë bashkëkohës: “Ne poetët jemi të gjithë të çmendur. Disa janë të prekur nga hareja, disa të tjerë nga melankolia, por të gjithë jemi pak a shumë të prekur.”[9] Të menduarit dhe sjelljet e tij karakterizoheshin nga luhatje të shpeshta e të rënda humori: periudha depresioni gjatë të cilave humbte aftësinë për të ndier kënaqësi, bëhej letargjik, ndihej i dëshpëruar dhe mendonte seriozisht për të kryer vetëvrasje (në njëfarë mënyre, ai u nxit për t’u përfshirë në luftën e grekëve për pavarësi ngaqë e pa si mundësi ideale për të vdekur, dhe ka shumë të ngjarë që, po të mos kishte vdekur në Greqi, do ta kishte vrarë veten në ndonjë mënyrë tjetër). Një herë, përmes humorit të tij thumbues, ai shprehej: “Po të mos ishte për gëzimin që do të ndiente vjehrra ime, ndonjë ditë të bukur duhet t’ia kisha hedhur vetes trutë në erë.” Ndërsa, gjatë episodeve maniake ai s’flinte për ditë të tëra, acarohej lehtë dhe reagonte dhunshëm, merrte vendime me vrull, pa menduar për pasojat; i shpenzonte të gjitha paratë pas gjërave e udhëtimeve ekstravagante (Bajroni ishte gjithmonë i zhytur në borxhe), sillej në mënyrë të turpshme me femrat dhe i shkatërronte marrëdhëniet me të tjerët (zonja Bajron u detyrua ta hidhte në gjyq dhe të kërkonte divorc duke thënë se ishte i çmendur).

Portreti i Bajronit (1813) nga Richard Westall

Vetë Bajroni ishte në dijeni për sëmundjen e tij ngaqë shumë gjenerata të Bajronëve, përfshirë edhe prindërit e tij, kishin përjetuar luhatje të skajshme humori; disa edhe kishin kryer vetëvrasje. Kështu, ai i shkruante zonjës Blessington: “Jam kaq i luhatshëm, jam gjithçka sipas radhës, por asgjë për shumë gjatë, – jam një përzierje e çuditshme midis së mirës e së keqes, saqë është shumë e vështirë për të më përshkruar.”[10] Sigurisht, gjatë atyre viteve nuk dihej shumë për çrregullimin bipolar dhe nuk kishte barna për ta trajtuar. Sidoqoftë, Bajroni donte të mjekohej; ai jetonte me frikën se një ditë mund të çmendej plotësisht dhe nuk udhëtonte askund pa doktorin e tij, John William Polidori, i cili, për ironi, mendohet se kreu vetëvrasje ngaqë vuante edhe vetë nga depresioni.[11]

Sidoqoftë, Schumann-i, Van Gogh-u dhe Bajroni nuk janë të vetmet personalitete të shquara që kanë vuajtur nga çrregullimi bipolar. Të tjerë artistë, të cilët kanë kryer vetëvrasje si pasojë e depresionit apo janë shtruar në spital si maniakë, përfshijnë: Edgar Allan Poe, Ernest Hemingway, Emily Dickinson, Ingeborg Bachmann, August Strindberg, John Berryman, Virginia Woolf, Sylvia Plath, Vladimir Mayakovski, Robert Lowell, Graham Greene, Otto Klemperer e shumë të tjerë. Kështu, duke marrë parasysh këta emra, duket se teoria e Platonit dhe problemi i Aristotelit mbeten relevante për psikiatrinë moderne: a është mania, me të vërtetë, një gurrë metaforike e kreativitetit artistik?

Një prej hulumtimeve më interesante për ndërlidhjen shkak-pasojë ndërmjet aftësive krijuese dhe episodeve ciklike të sëmundjes maniako-depresive është bërë nga psikiatria dhe shkrimtarja amerikane Kay Redfield Jamison, njëherazi profesoreshë në universitetin “Johns Hopkins”, e cila, jo vetëm që vuan vetë nga kjo sëmundje, por është një prej emrave më me ndikim në këtë fushë.

Kay Redfield Jamison

Sipas hulumtimit të saj, ku ajo analizoi veprat dhe jetët e disa prej artistëve më të shquar botërorë, që kanë lënë gjurmë qoftë në letërsi, art, apo muzikë, doli se 38% e tyre ishin diagnostikuar apo trajtuar për çrregullime humori. Për më tepër, sipas saj, fija më e trashë që e lidh bipolaritetin me krijimtarinë artistike apo intelektuale është hipomania (një formë e butë e manisë, e cila nuk karakterizohet nga psikozat dhe zakonisht nuk kërkon shtrim në spital): ajo vërejti se shumë prej ndryshimeve në të menduar, humor dhe perceptim, që e karakterizojnë hipomaninë, si entuziazmi, idetë e madhështisë, shpejtësia e rrjedhjes së mendimeve dhe shumëllojshmëria e tyre, nervozizmi, intensiteti i përjetimeve emocionale, apo përshpejtimi dhe harmonia e ndijimeve shqisore, përbëjnë gjithashtu veti të mendimit krijues.[12]

Referencat

    [1]Poe, E.A. (1903). The Works of Edgar Allan Poe, The Raven Edition, Volume 2. New York: P. F. Collier and Son.
    [2]Styron, W. (1990). Darkness visible: A Memoir of Madness. Random House.
    [3]Jamison, K. R. (1993). Touched with Fire: Manic-Depressive Illness and the Artistic Temperament. New York: Simon & Schuster.
    [4]Eutimia është një term që nënkupton një gjendje qetësie gjatë së cilës individi nuk përjeton çrregullime humori.
    [5]Taylor, R. (1982). Robert Schumann: His Life and Work. London: Granada.
    [6]Van Gogh-u e ka bërë pikturën “Starry Night” i frymëzuar nga pamja jashtë dritares së tij gjatë kohës që ishte i shtruar në spitalin psikiatrik “Saint-Paul-de-Mausole” në Saint-Rémy të Francës, ku ai kishte shkuar me vetiniciativë pasi kishte prerë veshin gjatë një episodi maniak. Disa besojnë se ai e pikturoi atë gjatë një episodi maniak ose hipomaniak.
    [7]Van Gogh, V. (1958). The Complete Letters of Vincent van Gogh. Greenwich, Connecticut: NY Graphic Society.
    [8]Honour, A. (1967). Tormented Genius: The Struggles of Vincent Van Gogh. William Morrow.
    [9]Lovell, E.J. (1969). Lady Blessington’s Conversations of Lord Byron. Princeton, N.J.; Princeton University Press, 115.
    [10]Po aty.
    [11]Viets, H. R. (1961). “By the Visitation of God”: The Death of John William Polidori, M.D., In 1821. The British Medical Journal. 2 (5269): 1773-1775.
    [12]Jamison, K. R. (1993). Touched with Fire: Manic-Depressive Illness and the Artistic Temperament. New York: Simon & Schuster.