
Për fat të mirë, shkenca mjekësore ka përparuar shumë gjatë dekadave të fundit; vetëm përgjatë shekullit të kaluar është zbuluar më shumë për simptomat, etiologjinë dhe trajtimin e çrregullimit bipolar sesa gjatë 2000 viteve të tjera para shekullit XX. Kështu, tani dimë mjaftueshëm jo vetëm për ta diagnostikuar dikë saktësisht, por edhe për të dalluar nëse dikush është bipolar i tipit I, II, apo ciklotimik. Për më tepër, është mësuar goxha edhe për mënyrën se si elemente të ndryshme kimike veprojnë në tru dhe në trup, dhe falë kësaj farmaceutika ka arritur që të ofrojë një numër të madh barnash që mund të lehtësojnë simptomat e depresionit dhe të manisë. Për më tepër, ngaqë më herët thamë se një nga arsyet pse njerëzit nuk i përmbahen regjimit të tyre të mjekimit është për shkak të efekteve anësore, si shtimi i peshës apo lëvizjes së pavullnetshme të muskujve, mjekët kanë kuptuar se ka ilaçe të tjera që mund t’i zbusin apo eliminojnë këto efekte anësore. Për shembull, disa psikiatër përshkruajnë shpesh ilaçin metformin për të ndihmuar ringritjen e sheqerit në gjak, ose ilaçin antikonvulsant topiramate për të parandaluar shtimin në peshë. Edhe pse asnjë psikiatër nuk e sheh si ideale që t’u japë individëve shumë barna, këto mund të shmangin disa nga efektet anësore që e bëjnë të vështirë për disa njerëz përdorimin e antipsikotikëve për një kohë të gjatë. Përfundimisht, ka shpresë që farmaceutika do të jetë në gjendje të kombinojë ilaçe të ndryshme për të maksimizuar efektivitetin e trajtimit dhe për të minimizuar rrezikun e efekteve anësore.
Ia vlen të përmendim se, së fundmi, më 2023, FDA-ja ka miratuar për përdorim kundër skizofrenisë dhe bipolaritetit ilaçin e quajtur Rykindo, një injeksion intramuskular i përbërë nga Risperidone, por që merret vetëm një herë në dy javë, duke shmangur kështu tabletat ditore.
Një metodë relativisht e re dhe joinvazive e neuromodulimit, që përdoret për të trajtuar sëmundjen maniako-depresive është edhe stimulimi magnetik transkranial (TMS), i cili kryhet duke aplikuar pulse magnetike në zonat hiperaktive ose hipoaktive kortikale të trurit.[1] Ngjashëm me terapinë e vjetër elektrokonvulsive, për ta administruar TMS-në, klinicisti vë një spirale elektromagnetike në një zonë të paracaktuar të kokës së pacientit. Impulset magnetike nga spiralja udhëtojnë nëpër kafkë drejt një zone të synuar kortikale, duke rezultuar në ndryshime të aktivizimit nervor. Deri më sot, TMS-ja duket të jetë metoda më frytdhënëse për trajtimin e menjëhershëm të depresionit, për individët të cilët paraqesin rezistencë trupore ndaj barnave. Megjithatë, studime të tjera priten të bëhen për administrimin e TMS-së gjatë fazave maniake të sëmundjes.[2]
Sidoqoftë, zhvillimi i shkencës – e sidomos i gjenetikës dhe i inteligjencës artificiale – është edhe më premtues se zbulimet farmaceutike. Për shembull, biologët kanë arritur të zbulojnë një grup gjenesh që ndikojnë në shpërfaqjen e bipolaritetit e, edhe pse akoma s’është arritur deri në atë pikë sa t’i modifikojnë ato për të arritur deri te një kurë e përgjithshme, ekziston shpresa se një ditë do të mund të aplikohet ajo që njihet si mjekësi precize për çrregullimin bipolar. Më e pakta, do të mund të analizohen gjenet e një individi për të kuptuar se cilat trajtime apo terapi do të jenë më të përshtatshme për të, ashtu siç bëhet për pacientët me sëmundje të tjera, siç është kanceri i gjirit.
Në të njëjtën mënyrë, inteligjenca artificiale ka arritur në një stad të atillë zhvillimi, saqë mund të diagnostikojë dikë apo të vlerësojë rrezikun për vetëvrasje me mjaft saktësi, bazuar në modele gjuhësore të trajnuara paraprakisht.[3]
Copyright © Arlind Fazliu 2025 - All Rights Reserved - Çrregullimi bipolar