Artikull

Jeta me çrregullimin bipolar

Arlind Fazliu

Të jetosh me një sëmundje kronike, çfarëdo qoftë ajo, është një sfidë e përditshme dhe kërkon sakrifica të mëdha. Sidoqoftë, të jetosh më një sëmundje kronike mendore është shumë më sfiduese sesa të jetosh me sëmundje të tjera trupore siç është diabeti, presioni i lartë i gjakut, kanceri, hepatiti etj. Kjo ndodh kryesisht për shkak të stigmës që mbartin sëmundjet mendore. Nëse dikush vuan nga diabeti, askush nuk i kërkon atij individi të rregullojë nivelin e sheqerit në gjak duke përdorur fuqinë e mendjes. Ose, nëse dikush vuan nga presioni i lartë i gjakut, askush nuk i thotë që ta ulë përmes fuqisë së vullnetit. Për këto sëmundje që prekin organet e trupit, të gjithë rekomandojnë vizitë te doktori dhe marrjen e trajtimit të duhur me barna.

Por, kjo gjë ndryshon kur organi i sëmurë është truri. Nëse diabetin apo presionin e gjakut mund t’i matim me aparate që na tregojnë saktësisht parametrat, sëmundjet mendore janë shumë më pak të matshme dhe kërkojnë vlerësim më të hollësishëm bazuar te të menduarit, ndjenjat, dhe sjelljet e individit të sëmurë. Ashtu si diabeti apo tensioni i gjakut, as sëmundjet mendore nuk janë për faj të individit. E pamë më lart se këto sëmundje janë shpesh gjenetike apo shfaqen si pasojë e problemeve neurokimike. Mirëpo, ne jemi rritur duke besuar se kemi fuqi absolute dhe aftësi për t’i kontrolluar sjelljet, mendimet dhe ndjenjat tona dhe se, nëse nuk arrijmë ta bëjmë, duhet të mbajmë përgjegjësi dhe të ballafaqohemi me pasoja të ndryshme.

Fatkeqësisht, një numër i madh individësh bipolarë herë pas here konfliktohen me policinë dhe përfundojnë në burg. Gjasat janë edhe më të mëdha kur ata janë edhe përdorues të alkoolit apo drogës. Sipas një studimi, individët bipolarë kishin 3.3 herë më shumë gjasa të kenë qenë të burgosur më shumë se katër herë më parë.)[1] Sjelljet e çrregullta, sidomos gjatë manisë, shkaktojnë probleme shpesh të pariparueshme në punë, në shtëpi, apo në jetën martesore. Kështu, individët bipolarë kanë një shkallë më të lartë të divorcit (2 deri 3 herë më të lartë)[2] dhe gjasa më të mëdha për t’u pushuar nga puna, sidomos për shkak të mungesave të shumta gjatë episodeve të depresionit.

Artikujt më poshtë shqyrtojnë disa metoda dhe strategji për të përballuar më lehtë simptomat e çrregullimit bipolar dhe përmbajnë këshilla praktike edhe për familjarët dhe partnerët e njerëzve që vuajnë nga ky çrregullim – më konkretisht, si të jetojmë dhe të punojmë me ta, dhe – çfarë është më e rëndësishme – si të parandalojmë ndonjë vetëvrasje të mundshme.

Referencat

    [1]Baillargeon, J., Binswanger, I. A., Penn, J. V., Williams, B. A., & Murray, O. J. (2009). Psychiatric disorders and repeat incarcerations: the revolving prison door. The American journal of psychiatry,166(1), 103–109.
    [2]Kogan et al. (2004). Demographic and diagnostic characteristics of the first 1000 patients enrolled in the Systematic Treatment Enhancement Program for Bipolar Disorder (STEP-BD). Bipolar disorders,6(6), 460–469.