
Sëmundja maniako-depresive, e njohur viteve të fundit edhe si çrregullim bipolar, është një sëmundje mendore që karakterizohet nga luhatje episodike dhe të theksuara të humorit, kryesisht midis manisë apo hipomanisë dhe depresionit, prej nga edhe rrjedh termi “bipolaritet”; që domethënë, sëmundje dypolëshe, referuar këtyre dy gjendjeve neurologjike. Kështu, kjo sëmundje nuk është sëmundje e personalitetit, siç mund të mendojnë disa, por sëmundje e humorit.
Ky çrregullim prek një numër të konsiderueshëm njerëzish në botë; një person në njëqind vuan nga bipolariteti i tipit më serioz (që njihet si tipi bipolar I), dhe po aq shumë vuajnë nga tipat e tjerë më të butë (tipat bipolarë II dhe III). Nëse lihet i patrajtuar, individët me këtë sëmundje mund të presin përsëritje episodesh, të cilat, fatkeqësisht, manifestohen me simptoma çdo herë e më të rënda. Për më shumë, me sa duket, po nuk u trajtua për shumë kohë, episodet e sëmundjes maniako-depresive ndryshojnë substratet biokimike dhe anatomike të trurit deri në atë masë sa trajtimi i vonshëm mund të mos ketë efektin e dëshiruar.[1] Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se shumica e individëve me sëmundjen maniako-depresive janë normalë shumicën e kohës; d.m.th., ruajnë arsyen dhe aftësinë e tyre për të funksionuar personalisht dhe profesionalisht.[2]
Bipolariteti prek të dyja gjinitë në përpjesëtim pothuajse të barabartë.[3] Edhe pse mund të shfaqet në çfarëdo moshe, bipolariteti është më i zakonshëm te personat më të rinj se 25 vjeç. Mosha mesatare kur zakonisht fillojnë simptomat e bipolaritetit është 18 vjeç. Për më shumë, statistikisht rezulton që kjo sëmundje është më e shpeshtë në vendet e zhvilluara në krahasim me vendet në zhvillim, dhe se prek më shumë individët e një shtrese më të lartë socio-ekonomike. [4]
Harmonia midis sferës sonë të brendshme mendore dhe botës së jashtme fizike është thelbësore për mirëqenien tonë psikike; rrjedhimisht, fantazitë tona, apo mendimet e paarsyeshme, korrigjohen ose mënjanohen vazhdimisht sapo përballen me realitetin e pamohueshëm konkret. Mirëpo, kur një individ izolohet brenda mendjes së vet, larg nga të tjerët, dhe nuk lë hapësirë qasjeje për feedback nga bota e jashtme, çmenduria bëhet e pashmangshme. Në këtë mënyrë, ai fillon t’i pranojë si të vërteta konceptet e rrezikshme, të paarsyeshme dhe absurde të mendjes së tij. Vetëkontrolli, një pasqyrim i zakoneve dhe normave shoqërore, shpërbëhet, ndërkohë që individi bëhet i rrëmbyeshëm dhe i palogjikshëm teksa vepron dhe flet në vijë me deluzionet e tij.
Çrregullimi bipolar paraqet një shembull tipik të një problemi të tillë neurologjik. Ky çrregullim do të mund të përshkruhej si një lavjerrës që luhatet vazhdimisht, zakonisht disa herë në vit, e nganjëherë edhe më shpesh, midis dy gjendjeve krejtësisht të kundërta mendore: depresionit dhe manisë. Këto gjendje episodike të humorit mund të zgjasin me muaj të tërë, për disa javë, apo vetëm disa ditë, varësisht nga tipi i bipolaritetit, si dhe mund të ndërhyjnë në jetën shoqërore dhe profesionale të individëve.
Individët që përjetojnë një episod depresioni zakonisht ndihen shumë të pikëlluar (iu duket sikur mbajnë barrën e gjithë botës mbi supe), kanë probleme të theksuara me gjumin (gjumë të tepërt apo pagjumësi), humbin interesin për gjëra të ndryshme (përfshirë seksin), ndihen shumë të lodhur, humbin aftësinë për të ndier kënaqësi, kanë mendime negative për veten (mund të ndihen të pavlerë apo të parëndësishëm), si dhe mendojnë shumë për vdekjen (jo doemos për të kryer vetëvrasje, edhe pse dëshira për të vdekur është gjithashtu mjaft e shprehur). Një prej poetëve më të mëdhenj amerikanë, Theodore Roethke, i cili është shtruar në spital disa herë për shkak të sëmundjes maniako-depresive, e përshkruante kështu depresionin: “Kam një peshë aq të rëndë pikëllimi brenda meje, saqë edhe vetë Zoti mezi do ta duronte.”[5]
Gjatë episodeve te manisë, në krahun tjetër, siç e përshkruante kompozitori austriak Hugo Wolf, “gjaku shndërrohet në përrenj zjarri.”[6]: këta individë ndiejnë eufori të madhe (sikur janë në majë të botës) dhe kanë plot energji. Problemet me gjumin, në këtë rast, manifestohen me pagjumësi, por jo pse nuk mund të flenë, siç mund të ndodhë gjatë depresionit, por sepse e konsiderojnë të panevojshëm; ata mund të flenë shumë pak orë apo të kalojnë net të tëra pa gjumë dhe të mos ndiejnë fare lodhje. Sylvia Plath, poetja amerikane e cila s’arriti t’u mbijetojë simptomave të çrregullimit bipolar (kreu vetëvrasje më 1963), shkruante kështu në librin e saj gjysmautobiografik “The Bell Jar”:
“…as flokët nuk i kisha larë prej tri javësh.
Nuk flija prej shtatë netësh.
Nënës i dukej e pabesueshme të mos kisha fjetur; sipas saj, ishte e pamundur të mos flije aq gjatë, por nëse kisha fjetur, e kisha bërë me sy hapur, duke qenë se kisha ndjekur rrugëtimin e gjelbër e të ndritshëm të akrepit të sekondave, akrepit të minutave dhe akrepit të orës së shtratit gjatë gjithë cikleve dhe gjysmëcikleve, çdo natë për shtatë net, pa humbur asnjë sekondë, minutë apo orë.” [7]
Për më tepër, maniakëve u gëlojnë mendimet dhe përpiqen t’i zbërthejnë të gjitha përnjëherësh. John Ruskin, artisti i madh anglez, i përshkruante kështu mendimet e tij gjatë manisë: “Jam pothuajse i sëmurë e i trullosur nga sasia e gjërave në mendjen time – vagonë mendimesh që fillojnë e degëzohen gjer në pafundësi, kryqëzohen me njëri-tjetrin, dhe të gjitha duken joshëse e kërkojnë të shtjellohen.”[8] Si pasojë, ngaqë mendimet dhe idetë e tyre rrjedhin më shpejt sesa kanë aftësi për t’i shprehur gojarisht, ata flasin shpejt dhe me zë të lartë, duke kaluar nga një temë te tjetra (biseda me ta bëhet e vështirë për t’u ndjekur); acarohen shpejt dhe reagojnë dhunshëm nëse bashkëbiseduesi u ndërpret fjalën apo i pengon, në çfarëdo mënyre, në arritjen e qëllimeve të tyre. E folura e tyre po ashtu shënjohet nga shakatë e shumta dhe lojërat e fjalëve (p.sh., përdorimi i disa fjalëve vetëm sepse rimojnë apo tingëllojnë bukur, pa i kushtuar rëndësi kuptimit të tyre) dhe zakonisht shoqërohet me mimikë apo gjeste teatrale.
Gjithashtu, gjatë një episodi të manisë, këta persona përjetojnë iluzione të madhështisë (megalomani) dhe një rritje të madhe vetëbesimi. Prandaj, pavarësisht mungesës së ndonjë aftësie apo talenti të veçantë, ata mund të ndërmarrin nisma ambicioze të tilla, si promovimi i ndonjë shpikjeje të parealizueshme apo shkrimi i ndonjë romani. Poeti amerikan Robert Lowell, fitues i dyfishtë i çmimit “Pulitzer”, gjatë periudhave të manisë ndonjëherë jo vetëm që aspironte të renditej me Danten, poetin e tij të preferuar, por mendonte se ishte vetë Dantja. Në periudha dhe spitale të ndryshme (u shtrua në spital plot 50 herë për shkak të çrregullimit bipolar), ai besonte se ishte Elioti, Shekspiri a Homeri dhe i rishkruante veprat e tyre siç i thoshte mendja.[10]
Nga ndjenjat e forta të euforisë, këta individë shpesh ndërmarrin veprime të ngutshme apo të rrezikshme [investime të gabuara në biznes, blerje të shumta të panevojshme apo të pakuptimta (mund t’i harxhojnë të gjitha kursimet brenda pak ditësh), e ngasin veturën me shpejtësi të lartë, bëjnë deklarata dashurie të papeshuara mirë etj.]. Në shumë raste, kur bashkëshoqëruesit apo familjarët e individëve bipolarë mundohen t’i këshillojnë apo t’i pengojnë, në mënyrë që të mos bëjnë veprime të tilla, ata s’e pranojnë se janë të sëmurë dhe i akuzojnë të tjerët se janë xhelozë dhe po përpiqen t’ua prishin lumturinë.
Në ca raste, personat me bipolaritet humbin lidhjen me realitetin; mund të kenë halucinacione apo të bëhen paranojakë (mendojnë se të tjerët po i përndjekin apo po përgatisin ndonjë komplot kundër tyre). Një shembull tipik është dramaturgu i madh August Strindberg, i cili, gjatë periudhave me mani, s’arrinte të gjente rehat askund. Mendonte se “armiqtë” po përpiqeshin ta helmonin apo ta vrisnin. Në disa raste ai vuante nga paranoja aq të rënda, saqë ikte nga dhomat e hoteleve ku rrinte, pa paguar, ngaqë mendonte se njerëz të dyshimtë kishin ardhur për ta vrarë dhe kishin gjetur mënyrën se si t’ia lexonin mendimet.[10]
Siç na tregon vetë Strindberg-u në romanin autobiografik “The Inferno”, ai gjente në korridor letra nga adresa të panjohura, të cilat, sipas tij, ishin lënë aty për të “në mënyrë sfiduese”.[11] Sigurisht, dikush po e spiunonte sepse donte t’ia vidhte idenë se si të shndërrojë hekurin e sulfurin në ar. Një pasdite, kur ishte shumë i pikëlluar, iu duk se po dëgjonte dikë duke luajtur në piano muzikën “Aufschwung” të Schumann-it, poshtë dritares së tij, fshehur pas gjetheve. Duhet të jetë “Popoffsky rus”, ish-shoku e tani armiku i tij i përbetuar, i cili kishte ardhur për ta vrarë. Duhet të ketë qenë ai që i ka lënë letrat me adresa të huaja në korridorin e hotelit. Për plot një muaj ai u acarua nga ky halucinacion zanor dhe, edhe pse miqtë e polakut Popoffsky e mohonin se ai ndodhej aty, për Strindberg-un kishte prova të tjera. Një ditë ai gjeti në tokë dy degëza të thata në formën e germave greke P dhe Y. Kombinimi i tyre, P–Y, i dha atij emrin e urryer “Popoffsky”. Sigurisht, për Strindberg-un, i cili kishte një vetëbesim të lartë, duhej të ishte Zoti i cili po e paralajmëronte duke i dërguar shenja.[12]
Gjatë psikozave të këtilla, individët bipolarë mund t’i bëjnë dëm vetes duke u vetëprerë a vetëgjymtuar në përpjekje për të përballuar emocionet e shfrenuara negative, si: ankthi, zemërimi i skajshëm apo zhgënjimi. Një prej rasteve më të njohura se si çrregullimi bipolar mund të çojë deri te vetëdëmtimi është historia se si, në përpjekje për të ndalur halucinacionet dëgjimore gjatë një episodi të manisë, piktori holandez Vincent van Gogh preu veshin e vet.
Copyright © Arlind Fazliu 2025 - All Rights Reserved - Çrregullimi bipolar