Artikull

Tejkalimi i stigmës për çrregullimin bipolar

Arlind Fazliu

Edhe pse detajet mund të kenë ndryshuar përgjatë shekujve, stigmatizimi ndaj njerëzve të sëmurë mendërisht ka qenë i shprehur historikisht. Sidoqoftë, tri kanë qenë dhe mbeten arsyet kryesore se pse shoqëria i stigmatizon këta individë: mosdija, frika dhe turpi.[1] Sa për kuriozitet, stigma është një fjalë greke me histori tejet interesante. Me pak fjalë, gjatë kohës së Greqisë antike, si dhe dikur gjatë mesjetës, njerëzve mëkatarë, kriminelë, tradhtarë, apo të sëmurë, qoftë mendërisht apo me sëmundje ngjitëse, u bënin nga një shenjë në ballë apo në trup me hekur të nxehtë apo thikë, në mënyrë që të tjerët t’i dallonin dhe t’i largonin. Ato mund të ishin fjalë të tipit “Hajdut” apo fjali më të gjata, si p.sh. “Më ndaloni! Jam një i arratisur!”.[2] Këto shenja quheshin “stigma”, prej nga edhe është marrë kuptimi i sotshëm figurativ.

Për shekuj me radhë, sëmundjet mendore kanë qenë të lidhura me fenë dhe misticizmin. Shoqëria i mendonte ata që silleshin çuditshëm si të ndikuar nga forcat djallëzore mbinjerëzore. Më vonë, kur iu dha rëndësi e veçantë përgjegjësisë individuale, të sëmurët mendorë konsideroheshin si mëkatarë apo jobesimtarë (në Zot). Madje, edhe pse ndodhte që nganjëherë vlerësoheshin si njerëz shumë të aftë intelektualisht, ata stigmatizoheshin dhe trajtoheshin si të pavlerë deri në atë pikë sa të liheshin krejtësisht të izoluar. Më tej, kur Hipokrati u shpreh se sëmundjet kishin shkaktarë fizikë dhe jo mbinatyrorë, stigma u pakësua, por vetëm pjesërisht: besimi se të sëmurët mendorë janë aleatë të djallit apo të poshtëruar mbijetoi dhe, për më tepër, mbetet akoma shumë i shprehur në ditët tona.

Holokausti, në Luftën e Dytë Botërore, gjatë të cilit të sëmurët mendorë vriteshin, sterilizoheshin ose u bëheshin eksperimente të shëmtuara çnjerëzore nga forcat naziste[3], apo mënyra se si disidentët e ditëve të sotme etiketohen nga vendet autoritare si të sëmurë mendorë vetëm sepse protestojnë për keqqeverisjen e pushtetit aktual, janë shembuj që e vërtetojnë këtë dukuri.

Për më tepër, nuk është për t’u habitur që sëmundja mendore është kaq e stigmatizuar në kulturën tonë evropiane, pasi shoqëria jonë e vlerëson vetëkontrollin, vullnetin e lirë dhe përgjegjësinë individuale. Kjo gjë vërehet edhe po të shikojmë përreth nesh gjithë ata libra të zhanrit “self-help” (vetëndihmues) në të cilët shtyhet fuqishëm ideja se mund ta rregullojmë jetën, të shërohemi nga sëmundjet, apo edhe të bëhemi të suksesshëm financiarisht, thjesht duke ushtruar fuqinë e vullnetit. Rrjedhimisht, shoqëria pret që të gjithë njerëzit t’i rregullojnë emocionet dhe veprimet e tyre.

Për shkak të mungesës së njohurive, e sidomos pasqyrimit negativ të sëmundjeve mendore në filmat e Hollywood-it, ku të sëmurët mendorë janë ose antiheronj ose vrasës të rrezikshëm (edhe pse është vërtetuar statistikisht se të sëmurët mendorë janë më pak të rrezikshëm se të tjerët) sëmundjet mendore shihen si një shenjë e dobësisë së karakterit. Njerëzit me çrregullim bipolar, të cilët mund të funksionojnë normalisht për periudha të gjata kohore, por përjetojnë episode depresive ose psikotike në raste të tjera, mund të jenë veçanërisht të prirur të paragjykohen në këtë mënyrë. Kështu, shumë njerëz, kur vërejnë sjellje depresive apo hipomaniake, mendojnë se ato episode janë si pasojë e mungesës së vullnetit dhe vetëkontrollit. Fatkeqësisht, disa njerëz shpesh supozojnë se këto sjellje mund të shmangeshin nëse individi do të ushtronte vullnet të mjaftueshëm.

Nga gjithë çfarë thamë më lart, s’është e habitshme që individët bipolarë refuzojnë të pranojnë se janë të sëmurë mendërisht dhe refuzojnë medikamentet apo seancat psikoterapeutike me psikiatrin. Sidoqoftë, tejkalimi i stigmës është i mundshëm. Këto janë disa këshilla se si individët me çrregullim bipolar mund ta përballojnë dhe tejkalojnë atë:

  • Të edukojnë veten: Të mësojnë sa më shumë që të munden për çrregullimin bipolar dhe stigmën që lidhet me të. Kjo do t’i ndihmojë të kuptojnë natyrën e stigmës dhe si ta tejkalojnë.
  • Të kërkojnë ndihmë profesionale: Të konsultohen me një profesionist të shëndetit mendor, i cili mund t’u ofrojë mbështetje dhe udhëzime për të menaxhuar simptomat e tyre dhe për të përballuar stigmën.
  • Të ndërtojnë një rrjet mbështetës: Të flasin me familjen, miqtë ose grupet mbështetëse që mund t’u ofrojnë mbështetje dhe inkurajim emocional. Biseda me të tjerët që kanë kaluar përvoja të ngjashme mund të jetë shumë e dobishme.
  • Të tregojnë historinë e tyre: Të ndajnë përvojat e tyre me çrregullimin bipolar me të tjerët dhe të jenë të zëshëm për rëndësinë e kujdesit dhe ndërgjegjësimit të publikut për shëndetin mendor. Kjo mund t’i ndihmojë për të thyer stereotipat dhe për të zvogëluar stigmën. Siç mund të dihet, disa prej individëve më të famshëm bipolarë në botë, si p.sh. Mariah Carey, Kanye West, Carrie Fisher, Halsey, Richard Dreyfuss e Stephen Fry, kanë treguar haptazi për vuajtjet e tyre të shkaktuara nga sëmundja maniako-depresive dhe kanë ngritur zërin për shumë vite që të zbusin stigmën e lidhur me të. [4]
  • Referencat

      [1]Fawcett, J., Bernard, G., & Rosenfeld, N. (2010). New Hope for People with Bipolar Disorder, Revised 2nd Edition: Your Friendly, Authoritative Guide to the Latest in Traditional and Complementary Solutions. Harmony Publishing.
      [2]Gustafson, M. (2000). The Tattoo in the Later Roman Empire and Beyond. In J. Caplan (Ed.), Written on the Body: The Tattoo in European and American History (pp. 17-31). Princeton, NJ: Princeton University Press.
      [3]Eutanazia e fëmijëve (gjermanisht: Kinder-Euthanasie) ishte emri i vrasjes së organizuar të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara të rënda mendore dhe fizike deri në 16 vjeç gjatë epokës naziste në mbi 30 të ashtuquajturat reparte speciale të fëmijëve. Të paktën 5000 fëmijë ishin viktima të programit, i cili ishte një pararendës i vrasjes së mëvonshme të fëmijëve në kampet e përqendrimit.
      [4]Fawcett, J., Bernard, G., & Rosenfeld, N. (2010). New Hope for People with Bipolar Disorder. Harmony Publishing.