
Robert Schumann, kompozitori i njohur gjerman i shek. XIX, ka vuajtur nga çrregullimi maniako-depresiv qysh prej vitit 1833, dhe ka vdekur më 1856, në një çmendinë të Bonn-it, ku ishte shtruar pasi kishte tentuar që të vetëvritej duke u hedhur në lumin Rin. I ati, e ëma dhe motra vuanin po ashtu nga depresioni dhe çrregullimi bipolar; motra e tij, Emilie, për fat të keq, vrau veten më 1825. Vetë Schumann-i ishte një djalë shumë i ndjeshëm, i rënë thellë në mendime, që fliste butë e dukej si i përhumbur në botën e ëndrrave; idealist dhe bujar. Ai njihej, veçanërisht gjatë kohës kur studionte për drejtësi në universitetin e Leipzig-ut, për jetën e tij të shtrenjtë e ekstravagante; atij i pëlqenin cigaret puro dhe shampanja, dhe ishte i dhënë pas poezisë dhe muzikës. Sidoqoftë, gjatë asaj kohe ai filloi të përjetonte ndryshime të theksuara të humorit, të cilat vazhduan t’i shfaqeshin pothuajse gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tij.
Gjatë karrierës së tij të larmishme, edhe pse të shkurtër, Schumann-i kompozoi vepra të shumta të muzikës klasike, shumë prej të cilave pasqyrojnë sheshazi natyrën episodike të sëmundjes së tij. Për shembull, nuk është aspak e vështirë – edhe për dikë që s’ka vesh për muzikën klasike – të diktojë në kompozimin e tij më të famshëm, Carnaval, Op. 9, kalimin nga notat e mprehta melankolike, që luhen ngadalë dhe ndjellin pikëllim, në ato dramatike dhe që luhen befas dhe furishëm, e që sjellin ndër mend maninë. Ia vlen po ashtu të theksojmë se gjatë episodeve me depresion ai nuk arrinte të punonte pothuajse fare, ndërkohë që punën më të madhe dhe më të mirë e bënte gjatë periudhave kur kishte hipomani apo gjendje eutimie.
Schumann-i, i cili kishte një imagjinatë tejet të zhvilluar, sapo i kishin filluar simptomat e çrregullimit bipolar, kishte shpikur në mendje dy personazhe fiktive për ta ngushëlluar gjatë momenteve të rënda. Ata quheshin Eusebius dhe Florestan. I pari, sipas tij, ishte një person melankolik, i rënë në mendime, romantik dhe i heshtur; i dyti, në krahun tjetër, ishte tip i fortë, burrëror, i harbuar dhe ambicioz. S’është nevoja ta themi se këta dy ishin vetë Schumann-i dhe pasqyronin natyrën bipolare të mendjes së tij: Eusebius ishte Schumann-i gjatë një episodi depresiv, ndërsa Florestani ishte Schumann-i kur bëhej maniak. Schumann-i, për më tepër, i titulloi me këta emra dy prej njëzet e një pjesëve të Carnaval-it të tij nr. 9, ndërsa kalimi nga njëri te tjetri rrjedh krejt papritmas; dëgjuesit e papërgatitur tremben nga ky ndryshim i beftë e i paparalajmëruar. Kështu, përmes notave muzikore të këtyre dy pjesëve, ai na shfaq se sa befasishëm ndryshon humori i një bipolari midis depresionit dhe manisë.
Më 1854 sëmundja e tij u përkeqësua. Disa thonë se ai u sëmur edhe nga sifilizi, por kjo s’u vërtetua asnjëherë. Gruaja e tij, Klara, shkruante në ditarin e saj atë çfarë Schumann-i s’arrinte ta bënte vetë:
Natën, jo shumë kohë pasi ishim shtrirë për të fjetur, Roberti u ngrit dhe shkroi një melodi të cilën tha se ia kishin kënduar engjëjt. Pasi u shtri përsëri, ai filloi të fliste në jerm, me sytë ngulur në tavan gjatë gjithë kohës. Kur u gdhi, engjëjt iu shndërruan në djaj dhe i këndonin muzikë të lemerishme, duke e akuzuar se ishte mëkatar dhe do ta hidhnin në ferr. Ai u bë histerik dhe bërtiste nga agonia, ngaqë i dukej se po e sulmonin si tigra dhe hiena dhe po e kapnin me kthetrat e tyre. Dy mjekët që erdhën, mezi arritën ta kontrollonin.
Përshkrimi i Klarës u bë më 10 shkurt, ndërkohë që ditët në vijim humori i tij vazhdonte të luhatej në mënyrë drastike nga njëri ekstrem te tjetri. Më 27 shkurt, duke dënesur dhe pa e veshur pallton, Schumann-i doli nga shtëpia me nxitim dhe u hodh në lumin Rin. Ai u shpëtua nga disa marinarë dhe u çua në shtëpinë e të çmendurve në Endenich, afër Bonn-it, nga ku s’doli më. Ai vdiq nga pneumonia dhe uria më 1856, pasi refuzoi të hante (kishte frikë se po përpiqeshin ta helmonin).
Copyright © Arlind Fazliu 2025 - All Rights Reserved - Çrregullimi bipolar